Zëvendëspresidentja e Argjentinës ka shmangur një atentat pasi arma e personit që tentoi ta vriste u bllokua teksa ai ia drejtoi asaj.
Pamjet tregojnë momentin kur Cristina Fernández de Kirchner – e rrethuar nga një turmë mbështetësish – e gjeti veten ballë për ballë me një person të armatosur. Ish-presidentja po kthehej në shtëpi nga gjykata, ku përballet me akuza për korrupsion, të cilat ajo i mohon.
Policia tha se personi i armatosur, të cilin mediat lokale e identifikuan si një brazilian 35-vjeçar, është arrestuar. Ata po përpiqen të përcaktojnë motivin për sulmin ndaj Fernández de Kirchner, e cila ishte presidente e Argjentinës nga viti 2007 deri në 2015-ën, dhe zonja e parë për katër vjet para kësaj.
Presidenti Alberto Fernández zbuloi se arma ishte e mbushur me pesë plumba, por u bllokua kur u shkrep. Videoja që qarkullon në mediat sociale tregon personin që i drejton armën në mes të turmës dhe Fernández de Kirchner duke u ulur për ta shmangur atë – duke mbuluar veshët e saj ndërsa përkulet.
Në një video tjetër, njerëzit në turmë duket se përpiqen të mbrojnë Fernández de Kirchner nga personi i armatosur. Turma është mbledhur jashtë shtëpisë së saj në netët e fundit në shenjë mbështetjeje teksa ajo lufton me akuzat për mashtrim të shtetit dhe përfshirje në një skemë për të devijuar fondet publike gjatë kohës që ishte presidente.
Duke iu drejtuar kombit vonë të enjten mbrëma, Presidenti Fernández tha se përpjekja për vrasjen e Fernández de Kirchner ishte një nga incidentet “më serioze” që kur vendi u kthye në demokraci në vitin 1983.