Ish-Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, mori pjesë në prezantimin e dy volumeve të kolanës së botimeve parlamentare për reformën.
Teksa mbushen tre vite nga miratimi i këtij projekti kushtetues, Xhafaj bëri një bilanc të zgjeruar duke theksuar se tashmë reforma në drejtësi është një realitet i prekshëm ku frytet e para të së cilës janë të vlerësuara pozitivisht në mjedisin shoqëror, vendas dhe ndërkombëtar.
Deputeti socialist siguron se “perjudha tranzitore do të kapërcehet shumë shpejt dhe se gjërat do të shkojnë në vendin e tyre ku të gjithë do të shohin qartazi vlerat e asaj çfarë kemi ideuar dhe ndërtuar përmes vështirësive e pengesave të shumta”.
Ish ministri i Brendshëm u ndal edhe te kritikat e opozitës ndaj reformës në drejtësi për të cilat argumenton se “disa vijnë nga mosnjohja, disa nga xhelozia e natyra nihiliste e autorëve, por një shumicë janë në funksion të qëllimit për delegjitimimin e procesit, zbehjen e vlerave dhe besueshmërisë së tij”.
“Dikush qan hallin e drejësisë së vonuar duke kujtuar numrin e madh të dosjeve në rafte, disa të tjerë nuk dinë se cfarë kërkojnë dhe cirren se reforma po kapet!
Harrojnë që deri dje që Gjykata e Lartë ishte aty e tëra dhe ishin mijëra çështje në raftet e saj prej vitesh ashtu sikundër janë me mijra dosje në pritje dhe me vite vonesë apo në zvarritje dekadash në shkallët e tjera të gjyqsorit. Sigurisht më mirë një vit vonesë se sa një drejtësi e blerë dhe e shitur si mall nën pushtetin e fuqisë së pushtetit apo të fortit të parasë apo krimit.
Ndërkohë që deri dje gjykata kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe cdo institucion i sistemit dhe vet kariera e gjyqtarëve e prokuyrorëve përcaktohej nga politika, nga vullneti i pushtetit të rradhës ndërsa drejtësia e re që po ngremë përmes kësaj reforme garanton që qëndrueshmëria, kariera dhe promovimi i prokuorëve dhe gjyqtarëve nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe pushtetin, po me vlerat dhe integritetin”, nënvizon Xhafaj.
Ndër të tjera ai shtoi:
“Prokuroria e djeshme ishte e mbërthyer nga drejtues të paaftë, të korruptuar dhe shërbëtorë militantë politikë dhe nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me institucionet e reja të drejtësisë penale, me SPAK dhe BKH të formuar me gjyqtarë, prokurorë e polic të skanuar në filtrat e vetingut, të emëruar mbi një proces konkurimi pa asnjë pikëlidhje me politikën dhe kryesorja nën një monitorim të fortë ndërkombëtar nga misionet e asistencës të SHBA e BE, (OPDAT dhe EURALIUS) dhe akoma më shumë në një periudhë të paktën dy vjecare me mandat kushtetues asistence, trajnimi dhe monitorimi prej tyre!”, theksoi Xhafaj.
Fjala e plotë
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit !
Të nderuar kolegë, miq dhe pjesëmarrës !
Fillimisht dëshiroj tju shpreh falenderimet më të mira organizatorëve të këtij aktiviteti shumë kuptimplotë, në këtë datë ku shenjohet 3 vjetori i miratimit të projektit kushtetues, bazamentit të reformës në drejtësi.
Këtu në kuvend ka nisur rrugëtimin konkretizimi i projektit, kanë marrë jetë debatet politike dhe juridike rreth rreth tij si dhe janë formësuar dhe miratuar aktet kushtetuese e ligjore përkatëse.
Ndaj Kuvendi ka privilegjin e pakontestueshëm dhe njëherësh përgjegjsinë kryesore për fatin e kësaj reforme historike.
Jam krenar që jam pjesë e atij grupi miqsh e kolegësh që e mundësuam një arritje të tillë, e cila në karierën tonë politike shënon një shërbim të cmuar ndaj vendit dhe qytetarëve të tij, sot dhe nesër.
Një shprehje e urtë thotë se “Fjalët i merr era, veprat e mira dhe shoqërisht të dobishme mbeten”.
Prezantimi i dy volumeve të kolanës së botimeve parlamentare për reformën në drejtësi është një ngjarje e rëndësishme që në momentet aktuale merr një vlerë të shumëfishtë.
Kjo është një dëshmi e pakontestueshme e punës së jashtëzakonshme të bërë nga deputetët e angazhuar aktivisht në mbështetje të reformës dhe mbi të gjitha nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtar që i dhanë formë dhe jetë këtij projekti.
Botimet e sotme dhe ato që pritet të dalin së afërmi janë dëshmia reale e thellësisë dhe gjerësisë së këtij procesi të jashtazakonshëm, një procesi tërësisht të mirëmenduar dhe me një organizim eficent të burimeve njerëzore dhe kapaciteteve më të mira profesionale.
Jam besimplotë se këto botime janë një ndihmesë e madhe për cilindo që dëshiron të njohi më në thellësi zhvillimet e këtij procesi, debatet profesionale intensive që formësuan këtë projekt historik.
Shpresoj fort që të shërbejnë edhe si një model i mirë për procesin ligjvënës, për domosdoshmërinë e respektimit të disa parimeve dhe standarteve jetike për suksesin e reformave të tilla si : gjithpërfshirja, transparenca, profesionalizmi dhe aplikimi i standarteve më të mira ndërkombëtare.
Falenderimet më të mira i shkojnë Bordit dhe stafit të kuvendit të angazhuar në përgatitjen e këtij botimi me vlerë për sot dhe brezat e nesërm.
Ideimi, organizimi dhe hartimi i projektit kushtetues dhe ligjeve të reformës në drejtësi ka qënë një proces i vështirë, shumë kompleks dhe jo rrallë i mundimshëm, plot kundërshti e debate dhe sigurisht edhe plot stres. Për shkak të volumit të jashtazakonshëm, të problematikave të vështira, por dhe zgjidhjeve të pritshme që mbartin shumë risi.
Kemi dëgjuar këto kohë komente nga më ndryshmet lidhur me reformën, kryesisht për afatet dhe formatimin e institucioneve të reja. Disa vijnë nga mosnjohja, cinizmi e nihilizmi i autorëve, por një shumicë janë ndër ata që cfarë nuk kanë bërë e bëjnë për bllokimin dhe deformimin e reformës, për delegjitimimin e procesit, zbehjen e vlerave dhe besueshmërisë së tij.
Ka një të vërtetë të madhe. Ne po ngremë mbi një bazament të ri jo thjesht një institucion, por një pushtet të tërë tërësisht të ri që ngrihet paralelisht me funksionimin e pushtetit të vjetër e të korruptuar, bllokues e pengues.
Një pushtet që po ngrihet duke shembur mure të vjetra cdo ditë dhe duke ndërtuar themele e mure të reja në përballje të përditshme nga njëra anë me pasigurinë e së resë dhe njëherësh nën presionin e madh për pritshmëritë e larta ndaj saj dhe nga ana tjetër në luftë të ashpër me përpjekjet e hapura për delegjitimim dhe kulisat për influencim e kontroll të ushqyera nga pasiguria dhe frika e së nesërmes.
Dikush po vajton hallin e drejësisë së vonuar duke kujtuar numrin e madh të dosjeve në rafte, disa të tjerë cirren se reforma po kapet !!
Harrojnë që deri dje që gjykata e lartë ishte aty e tëra dhe ishin mijra cështje në raftet e saj prej vitesh ashtu sikundër janë me mijra dosje në pritje, me vite vonesë apo në zvarritje dekadash në shkallët e tjera të gjyqsorit dhe për më tepër në një proces ku drejtësia blihej dhe shitej si mall tregu nën presionin e fuqisë së pushtetit apo të fortit të parasë dhe krimit.
Deri dje gjykata kushtetuese, gjykata e lartë, cdo institucion i sistemit si dhe vet kariera e gjyqtarëve e prokurorëve përcaktohej nga politika, nga vullneti i kartonave të pushtetit të rradhës ndërsa drejtësia e re që po ngremë përmes kësaj reforme garanton një sistem të qëndrueshëm karriere të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbi bazën e vlerave dhe integritetit, të pandikuar e kushtëzuar nga politika dhe pushteti i saj.
Prokuroria e djeshme ishte e mbërthyer nga drejtues të paaftë, të korruptuar dhe shërbëtor militant politikë dhe nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me institucionet e reja të drejtësisë penale, me SPAK dhe BKH të formuar me gjyqtarë, prokurorë e polic të skanuar në filtrat e vetingut, të emëruar mbi një proces konkurimi pa asnjë pikëlidhje me politikën dhe kryesorja nën një monitorim të fortë ndërkombëtar nga misionet e asistencës të SHBA e BE, (OPDAT dhe EURALIUS) dhe akoma më shumë në një periudhë të paktën dy vjecare me mandat kushtetues asistence, trajnimi dhe monitorimi prej tyre !
Jam koshient që jetojmë një periudhë tranzitore ku është vështirë të kuptohen mirë vlerat e asaj cfarë po ngremë dhe kjo është një kohë e mirë për spekullantët politik e kalemxhinjtë e tyre,
por jam besimplotë se shumë shpejt gjërat do të shkojnë në vendin e tyre, do të formësohen dhe të gjithë do të shohin qartë vlerat e asaj cfarë kemi ideuar dhe ndërtuar edhe përmes vështirësive e pengesave të shumta.
Kjo në saj të vullnetit tonë politik, institucional dhe profesional për ta hartuar e zbatuar reformën, angazhimit dhe përgjegjshmërisë së njerëzve të rinj të sistemit si pjesë e institucioneve të reja të Drejtësisë së re.
Padyshim falë edhe mbështetjes plot përkushtim dhe pa asnjë pakompromis që janë duke i dhënë këtij procesi partnerët ndërkombëtarë dhe vecanërisht SHBA dhe BE, të cilët dje kanë qënë bashkëhartues me ne të projektit kushtetues e ligjor, sot kontribues aktiv në ngritjen e institucioneve të reja dhe shpresoj e besoj fort edhe garantues të përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të institucioneve të reja.
Reforma në drejtësi tashmë është një realitet i prekshëm, një realitet në zhvillim frytet e para të së cilës tashmë janë të prekshme dhe të vlerësuara pozitivisht në mjedisin shoqëror, vendas e ndërkombëtar.
Vlera e një ligji qëndron në cilësinë e zbatimit të tij.
Ndaj është i drejtë presioni publik e shoqëror mbi organet e vetingut dhe vecanërisht ndaj KPA për një ritëm më të mirë në kryerjen e procesit dhe kryesorja për një zbatim më të drejtë, të arsyeshëm dhe të barabartë të normave kushtetuese dhe ligjit përkatës.
Ashtu sikundër kërkohet të dëshmohet me të drejtë më shumë Përgjegjshmëri, Transparencë dhe Eficens nga ana e institucioneve të reja të sistemit, KLGJ e KLP dhe sidomos nga ata që vijnë nga shoqëria civile, avokatia dhe bota akadamike dhe që janë aty pikërisht për garantuar këto vlera në shërbim të qytetarit.
Është e drejtë gjithashtu të pranojmë se me më shumë kujdes nga institucionet përgjegjëse për zbatimin dhe monitorimin e procesit, një ritëm tjetër mund të kishim pasur në ngritjen e isntitucioneve të reja të sistemit përfshi dhe Gjykatën Kushtetuese dhe kryesorja në mirëzbatimin e ligjit.
Një sulm i egër e ka shoqëruar dje hartimin e reformës në drejtësi dhe sot procesin e zbatimit të saj. E sigurtë kështu do të vazhdoj edhe nesër. Do të jenë gjithmonë e më pak, por e sigurtë më të ashpër.
Në asnjë moment nuk kam pritur dhe as pres të kundërtën. Është ndeshja e dy botëve, një përballje e dy qëllimeve diametralisht të kundërta.
Beteja midis drejtësisë dhe padrejtësisë, qëllimit për të ndërtuar një drejtësi të pavarur e funksionale dhe përpjekjeve për demotivimin ose kontrollin e saj.
Padyshim që në themel të të gjithë këtij sulmi ka qënë dhe mbetet paranoja e pasiguria apo frika nga drejtësia, nga ndëshkimi.
Duke qënë një ndër personat më të sulmuar për këtë shkak, sot dëshiroj tju them të gjithëve se : “Kurajo për të bërë gjëra të mëdha në interes të vendit është më e fortë se çdo dhimbje e shkaktuar nga fronti i së keqes”.
Ndaj ju them sot të gjithë atyre që janë angazhuar në procesin e zbatimit tw reformës : “Kurajo dhe Guxim ! Refuzojini miklimet për favore dhe interesat në shkëmbim të vendimmarrjes ! Sfidojeni gjithë këtë sulm përmes zbatimit të drejtë të kushtetutës dhe ligjit, hedhjes me vendosmëri të hapave për zbatimin e reformës në drejtësi”.
Reforma në drejtësi është shpresa kryesore e qytetarëve dhe vecanërisht brezit të ri për të jetuar, punuar dhe ëndërruar në këtë vend, është garanci për një qeverisje më të mirë, qeverisje të mbështetur fort te respektimi i kushtetutës dhe ligjit.
Dëshiroj ta mbyll fjalën time me dy shprehje mjaft kuptimplote nga Nënë Tereza :
“Çfarë mund të investosh vite për ta ndërtuar, dikush mund të luftojë t’a shkatërrojë brenda një nate; Gjithësesi ndërtoje”
dhe se :
“Edhe ne vetë ndjejmë se ajo çka bëjmë është veçse një pikë uji në oqean, unë mendoj ama se oqeani do të ishte më i vogël në mungesë të asaj pike uji”.