Mbreteresha Elizabetë e përshkroi të shoqin, princin Philip të ndarë nga jeta këto ditë, si “shkëmbin në të cilin mbështetej”. Por në fakt, monarkja britanike duket edhe vetë një grua shumë e fortë. Ajo ka vendosur ta shkurtojë ndjeshëm periudhën 30 ditore të zisë, dhe do t`i rikthehet detyrimeve të saj mbretërore vetem 4 dite nga vdekja e të shoqit. Këtë thotë se e bën edhe për të nderuar kujtimin e tij. Një tjetër mbretereshë e famshme në Angli, Viktoria u martua ashtu si Elizabeta me njeriun që dashuroi. Kur bashkëshorti i saj, princi Albert ndërroi jetë në 1861-tin prej tifos, mbretëresha e vajtoi humbjen e tij për më shumë se dy vjet, periudhë kjo gjatë së cilës nuk u shfaq kurrë në publik.
Elisabeta zgjodhi që të mos i anashkalonte më gjatë detyrimet e saj. 94 vjecarja mori pjesë në një ceremoni zyrtare të martën në Keshtjellën Windsor, ndërkohë që familja mbretërore britanike është duke mbajtur dy javë zi për shuarjen e princit Philip. Funerali i tij është planifikuar të zhvillohet të shtunën në këtë kështjellë, me një prani të kufizuar prej 30 personash për shkak të masave kundër pandemisë.