To top
15 Mar

Vepra moderne me lëndën dhe ngjyrat e traditës te Sali Shijaku

 

Nga Dr. Merita Toçila

Nga monografia “Kostumografia në Art”

 

Gruaja në traditën shqiptare në paraqitjet folklorike ose të artit të kultivuar merr trajtën e një hyjneshe të bukurisë si e bukura e dheut, zanë, orë mali, shtojzavalle, çka i nxit studiuesit të gjejnë përqasje me hyjnitë homerike në kontekstin mitologjik. Kulminacioni i përshkrimit të bukurisë femërore haset në krijimet për dashurinë dhe në ditën e martesës. Ky epitet i bukurisë e shoqëron atë deri ditën që bëhet nënë, për të mbartur paskëtaj përcaktime të reja. Në këtë stad janë memorizuar në kulturën shpirtërore, popullore apo të kultivuar, portretet më të bukura femërore. Këtë dukuri e ndeshim jo rrallë edhe në artet pamore që nga Venusi a Afërdita, shoqëruar dhe me ndryshimin e statusit të saj në kohë në sajë të evolucionit social-kulturor. Traditë ose jo, të imponuar ose të lirë, portretet e tipizuara të gruas shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, veshur me kostume kombëtare (kupto nga çdo hapësirë shqiptare) janë mjaft mbresëlënëse tek artistët tanë, për të mos thënë më të bukurat. Ato transmetojnë diçka nga folklori e mitologjia për surrealen që mbartin në psikologjinë e tyre. Por nuk janë simbol pjellorie si në parahistori, as simbol bukurie sipas kanoneve klasike të antikitetit, as simbol i pastërtisë, virtytit dhe përsosmërisë si Virgjëreshat në mesjetë, as simbol fitoreje mbi normat e rregullat e shoqërisë pas shekullit XIX. Qëndrimi i tyre, gjestet, portreti e veshja nënkuptojnë shtresëzime të tilla që përshkojnë kohët, të cilat kanë prodhuar një subjekt që e vë në atë vend të privilegjuar. Të mbrojtura nga veshja e traditës, figurat femërore me kostumin kombëtar në artin e realizmit socialist në shumë aspekte përfaqësojnë paraqitjet më elegante, më poetike e më sensuale në ligjërimin figurativ. Pra në kontekstin e analizës sonë ato nuk përfaqësojnë thjesht individin, por janë simbol (i gjithkohshëm) i traditës dhe trashëgimisë.

Shumësia e formave dhe ngjyrave që dominojnë rendin morfologjik në këto vepra, në realizimin e elementeve etnografikë të veshjes, i shton valencën organizimit sintaksor të kompozimeve në telajo. Pra duhet thënë se veshjet, aksesorët, stolitë, grimi, frizura që paraqiteshin me ngjyresa nga njëra krahinë në tjetrën i frymëzonin artistët për sendërtimin e imazhit piktural sipas karakteristikave përveçuese. Në marrëdhëniet e ndërvarura në drejtim horizontal e vertikal të pjesëve tëkostumit, bëhet dominuese linja, përkrejsa, brezi, fustat apo ndonjë tjetër në dobi të evidentimit të shenjës figurative. Kur themi këtë kemi parasysh “Nusja Zadrimore” e Sali Shijakut. Tabloja është punuar me penelata të ngjeshura dhe ngjyra pastoze dhe duket e drejtpërdrejtë, natyrale e pa nevojë deshifrimi. Por thellësia e shtresave në tentim të relievit aq sa që të tundon në prekjen e cepit të rizës, pareve në armaturën e stolive të kraharorit a cullufeve në tëmtha, krijon një farë distance që duhet kuptuar si një mënyrë artistike për të shtuar mistikën rreth subjektit. Lojën e vijave në pëlhurën e shamisë së gjerë, që nëpërmjet mënyrës së manipulimit të pëlhurës në një sikësulë me figuracion të larmishëm të ndërthurjes së drejtimit të vijave, ai e lë të nënkuptohet, duke zbutur kontrastin me të bardhën e ftohtë. I mbërthyer pas portretit të saj dhe në respekt të traditës, ai ia “ndalon” shikimin, duke e çuar mbrapa në kohë, brenda mureve të shtëpisë dhe e kufizuar për botën jashtë. Ajo shfaqet para nesh, por tepër larg gjithashtu si një Madonë e virtytshme. Megjithatë plani ballor na lejon të sodisim shaminë që artisti e shndërron në një kurorë shenjtërie, duke i mbuluar flokët e prerë shkurt, veç me ndonjë tutël që del në tëmtha. Me një detaj të vetëm si ky, Shijaku zbulon një tip frizure të hershme si pjesë e stilit dhe e paraqitjes së gruas tradicionale në veri. Pas këtij fragmenti, vështrimi zbret te stolitë (vathët dhe rrgjanat) të modeluara në trajtë parzmi si në kohën kur u zbulua mënyra e përpunimit të metalit dhe njeriu me ngazëllim mësoi se mund t’i përdorte edhe për zbukurim, përveçse për mbrojtje. Stolitë metalike me gurë që i mbulojnë kraharorin në një kombinacion ngjyrash të gjelbra, të kuqe, blu, të kafenjta vazhdojnë deri sa mbyllen në qafë me një linjë rrethore për të sjellë një portret të pastër, i cili në pjesën e sipërme kufizohet nga lidhja e përkrejses mbi ballë. Në këtë moment i vjen radha vizatimit të tipareve të një vajze brune, me një hundë të gjatë e të hollë që e përqas me profilin e antikitetit. Qasja e imazhit me tiparet e lashtësisë ndërliket me kujtesën historike rreth një bukurie ideale të gruas shqiptare të ridimensionuar në shekullin X1X-XX fillimisht nga artistët e huaj. Edhe proporcionet e tipareve të portretit në tërësinë e tablosë janë mjete në kërkim të shprehësisë artistike në funksion të idesë së bukurisë së kostumit dhe gruas në pikturë.

Tabloja lajmëron një periudhë të rëndësishme në ardhje me pasurimin e gjuhës artistike, zhvillimin e arkeotipit të një bukurie femërore që shpreh identitet dhe peshën që do të fitonte shenja ose sistemi i shenjave (evidentimi dhe abstragimi i një fragmenti të kostumit si dhe prioriteti që do të duhej të kishte çdonjë prej tyre në tablo). Figura është e veçuar nga mjedisi dhe kjo nuk e përcakton kohën së cilës i referohet autori. Nuk tregon përkatësi sociale sepse këtë e kishte eliminuar sistemi, por publiku mund të shijojë pafundësisht bukurinë një kostumi kombëtar që do jetë i tillë edhe nëse artefakti muzeal nuk do të ekzistojë. Tek sheh kuadrin kupton pse autori (dhe gruaja në kohën e shkuar gjithashtu) e mbulon ballin dhe çfarë kodi ka thyer në veshje kur i shpëtojnë buklet anash. Pse e trajton si armaturë stolinë dhe si u frymëzua? Sipas dëshmisë së vetë artistit, inspirimi filloi nga një fotografi e vogël e gjetur rastësisht në rrugë që kishte të stampuar portretin e një vajze me kostum tradicional me gjoksin mbuluar me stringla. Por Shijaku dinte si ta shndërronte një pjesë folklori në një krijim artistik, pasi dinte çka të merrte prej saj. Një fotografi e rëndomtë, qoftë si motivim, qoftë si referencë, megjithë emërtimin “nga folkori”, nuk e dikton trajtesën piktorike, por vihet në marrëdhënie të ndërsjelltë me artistin për të ngjitur në fronin e nderit një vepër moderne me lëndën dhe ngjyrat e traditës.