To top
8 Pri

Vendimi / Pse u la në burg Veliaj?

“Sa më i fuqishëm të jetë personi, aq më i madh konsiderohet potenciali për të minuar hetimin ose për të ushtruar trysni të papërshtatshme”. Me këtë përkufizim Gjykata e Posaçme e Apelit ka motivuar arsyet për mbajtjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në arrest në burg. Pra për gjykatën meqë Veliaj është kryebashkiak në detyrë është një arsye që të mbetet në burg.

Vendimi për Veliajn u mor më 13 mars, nga gjyqtari Engert Pëllumbi pas një seance maratonë 2 ditore, duke lënë të pandryshuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të 12 shkurt-it.

Sipas gjyqtarit, Veliaj, duke qenë se mban detyrën e kryetarit të Bashkisë “ka pushtetin për të ndikuar mbi vartësit e tij, për të zhdukur apo deformuar përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme që mund të shërbejnë si burime prove, si dhe për të ndikuar mbi dëshmitarë të ndryshëm, vartës ose jo”.

Gjyqtari është i mendimit se “Veliaj mund të arratiset apo edhe të bëhet përsëritës i veprave penale, të të njëjtit lloj me ato për të cilat po ai procedohet”.

Lidhur me dyshimet e arratisjes, ai shprehet se “mundësitë financiare të Veliajt vlerësohen në harmoni me lëvizjet e tij të shumta jashtë vendit, dhe ky rrezik konsiderohet eminent dhe në nivele të larta. Ky konkluzion nuk relativizohet as nga fakti që personi nën hetim është kryefamiljar dhe babai i një fëmije të mitur”, shton më tej gjyqtari.

Për gjyqtarin Pëllumbi, kryebashkiaku konsiderohet një “person me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, dhe për këtë i referohet disa përgjime të sjellë nga Prokuroria e Posaçme, të bisedave të Veliajt me të afërmit e tij, nga telefoni i burgut. Sipas gjyqtarit, 2 veprat penale për të cilat ai dyshohet “korrupsion” dhe “pastrim të parave”, ndikojnë në vendimin e gjykatës, pasi “përbëjnë rrezikshmëri”.

Baza e vendimi janë argumentet të sjella nga Prokuroria e Posaçme, të përdorura edhe nga GJKKO e shkallës së parë dhe risjell të njëjtat fakte të pretenduara.

Zbardhja e vendimit nga Apeli i Posaçëm, hap menjëherë mundësinë për rekurs në Gjykatën e Lartë, rruga tjetër ku Veliaj duket se do të përpiqet të kërkojë lirinë.

Vetë Veliaj më herët i ka konsideruar absurde argumentet e Gjykatës. Duke i konsideruar një kurth, Veliaj ka ironizuar “provat e reja të SPAK” që sipas tij janë përgjime të telefonatave me familjarë nga paraburgimi, por theksoi se nuk ka asnjë sekret.