To top
31 Jan

Veliaj premton parkim me sms

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në analizën vjetore të Policisë Bashkiake, duke vlerësuar punën dhe transformimin e saj në një kohë shumë të shkurtër. Sipas Veliajt, kjo strukturë është transformuar në 42% të saj duke u bërë një institucion më i besueshëm për qytetarët. Veliaj vuri në dukje faktin se Policia Bashkiake është modernizuar përsa i përket mjeteve që përdor dhe gjithashtu ka një komunikim më të madh me qytetarët. Sipas kryetarit Veliaj, dhjetëfishimi i ankesave që vijnë në Bashkinë e Tiranës është tregues i besimit që qytetarët e Tiranës kanë te ky institucion.erion

Duke folur edhe për një nga risitë që solli në krye të bashkisë, për parkingun me pagesë, Veliaj zbuloi një tjetër projekt që synon t’i kthejë pagesat e parkingut në elektronike. “Nga java tjetër do të pilotojmë sistemin e pagesës së parkingut, jo më me biletë, por thjesht nëpërmjet celularit, duke vazhduar modernizimin në qytetin tonë sa i përket menaxhimit të hapësirës publike dhe konkretisht parkimit. Kjo do të thotë që edhe verifikimi nga Policia Bashkiake i mënyrës se si është realizuar parkimi do të ndodhë vetëm me pajisje elektronike. Si pasojë, çdo gjë do të lërë gjurmë në sistem dhe unë besoj se do të jetë një nga lehtësitë kryesore për të gjithë qytetarët që kanë interes të parkojnë dhe që po shijojnë frytet e para të politikës së parkimit”, tha Veliaj.

Ai nuk harroi të përgëzonte punën e Policisë Bashkiake në përballimin e situatës së emergjencës gjatë ditëve të acarta në Tiranë. Sipas tij, kanë qenë 200 persona që janë strehuar në ambjentet e siguruara nga bashkia në këtë fillim viti. Në emergjencat civile të fillim vitit pamë realisht zemrën e Policisë Bashkiake. Kjo s’është detyrë tipike e saj, por duke qenë se rasti ishte atipik dhe emergjenca ishte e një lloji që Tirana s’kishte parë që nga viti ’85, secili prej nesh doli përtej detyrës, punoi me orë të stërgjata në kushte jashtëzakonisht të vështira. Dua t’ju falenderoj sepse shpëtuam 200 jetë njerëzish falë Policisë Bashkiake”, shtoi Veliaj.