To top
8 Pri

Vaçja ende këndon

Faslli Haliti

Sapo kishtekënduar në Orën Gazmore të qytetit, Vaçja erdhi në shtëpinë tone. Ne kishim  hyrje-dalje me Zelët. Që  në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte bërë e njohur në gjithë qytetin e Lushnjes. Xhaxhesha kërkoi që ajo të  këndonte një këngë. Vaçja  që e kishte  këngën të  gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që  t’i thoshin për së dyti. Bukur, bukur, tha  xhaxhesha, po jo si në radio (altoparlant), jo si në skenë. Atje duket  tjetër, këtu tjetër. Eh, dhe ti moj  Shahe, i  thonë nëna, po  kjo atje e ka vendin dhe jo këtu  në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen bukët. Çdo gjë në vendin e vet.

Ndërkaq Vaçja e vogël çau  dritaret e shtëpisë së  bukës  me zërin e saj të madh  dhe kënga u përzie me erën e bukës së djersitur që avullonte në qoshe të hambarit dhe që ne fëmijët  s’mund  ta hanim pa u ftohur  gjersa  avulli  i bukës të arrinte  në arën  më të  largët. Zia e bukës ishte në vitin më të zi dhe buka duhej  kursyer  duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja  që sapo kishte hequr  biberonin nga  goja, na ngopte shpirtin  me këngën e saj të ngrohtë  avulluese që ne e përpinim ashtu të  avullt.

Ora Gazmore jepej një  herë në javë, çdo ditë të diel me altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin rreth shtyllës së drunjtë, në majë të së cilës ishte vendosur altoparlanti. Këndonte treshja e këngëtarëve  pionierë.

Vaçe Zela, Flora Mebelli  dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit veçonin Vaçen  mes treshes duke thënë: po këndon Vaçja dhe nxitonin drejt sheshit me kalldrëm të qytetit për të dëgjuar Vaçen dhe e dëgjonin  gojëhapur duke u grumbulluar  rreth  shtyllës  me altoparlant. Si ftesë  kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte një treshe  këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi  i këtij  trekëndëshi  këngëtaresh ishte Vaçja që shumë shpejt  do të bëhej  kulmi i këngës së lehtë  shqiptare  të të gjitha  kohërave.

Flora  Mebelli ishte  më e bukura, më e  veshura nga të tria  këngëtaret e vogla. Ajetja ishte  më e  bukur  dhe më e veshur se Vaçja, por të  gjithë, i madh e i vogël  sytë dhe veshët  i kishin ngulur vetëm te Vaçe Zela, te zëri  i saj,  te kënga e saj si Hirushe,  si mis e vogël, si zanë e vogël mali.  Kjo treshe  këngëtarësh ishte një  zë që  vinte nga  Evropa, për  ne. Kjo  në vitet  pesëdhjetë, ishte një  pranverë  me fllad  evropian  që përcillte blerim, lulëzim  për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja  e kësaj  pranvere ishte Vaçja që po  shpërthente  në ngjyra  dhe fëshfërima  melodish. Ajo  mori njerëzish rreth shtyllës  së drunjtë, rreth  shtyllash  me altoparlant, ka  mbetur  kaq e gjallë, kaq e  bukur  në përfytyrimin  tim sa s’e  ka zbehur  asnjë  ekran  televiziv  gjer sot.  Dhe kur  dikush  në vitet  nëntëdhjetë  e dy tha  për Vaçen, të mos  e ngrinim në qiell  duke caktuar  dhënia e  çmimit vjetor kombëtar «Vaçe Zela», për muzikën  sepse ajo,  tha ai,  i ka kënduar  komandantit, diktatorit, ata që  e dëgjuan, s’e  mbajtën  dot veten; mbylle  mor buqen, i thonë, se zëri  i Vaçes  është më i madh se gjithë  komandantët  dhe diktatorët  e kësaj bote. Në ndërgjegjen  e popullit  ka mbetur  kënga vaçjane, zëri vaçjan dhe jo  vdekësirat  që i flak  tej  si bëzhdila  uragani i  zërit të Vaçes.

Ajo shtyllë me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit  meritonte  të ruhej  në muze  si obelisku i Vaçes. Por  ne jemi  ende pa  kulturën e  nevojshme  të ruajtjes së relikave. Sepse aty  pranë asaj  shtylle mbiu  fidani  i blertë i Vaçe Zelës, fidan  që u bë  lisi  më i lartë  në pyllin  shushuritës  e gjëmues  të këngës  shqiptare.

Pas debutimit  në orën  gazmore  që e organizonte  popullori, elitari  pasionanti  aktori,  piktori impresionant  Ilia Shyti, Vaçja  vazhdoi  të këndonte e s’e pushoi  më këngën. Kudo që ndodhej  asaj  s’i  rrihej pa kënduar  dhe këndonte me shpirt. Njerëzit  e donin këngën e Vaçes  dhe ajo s’ua kurseu  atë, por e jepte me shpirtin e gjeneshës  adoleshente. Kujtdo  që do t’i binte rasti  të njihej  me Vaçen do të kërkonte  që ajo të  këndonte të paktën  një këngë ose  një pjesë të  këngës  me të cilën  ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s’kursehej  ta përshëndeste  të saponjohurin me një këngë  të re  ose  me një  këngë për të  cilën ajo  kishte dobësi.

Qëlloi  që erdhi në  shtëpinë e pionierit Sekretari i Parë  i Komitetit të partisë  Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai  na  përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve  që ndiqnim rrethet  dhe kurset  në Shtëpinë e Pionerit.  Udhëheqësja e pionierëve e  prezantoi  sekretarin  me këngëtaren  e vogël Vaçe Zelën, me të vetmin fëmijë të njohur  midis gjithë  nesh që s’ishim veçse korniza e gjallë e saj.

Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretari i parë, i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.

Ti qenke Vaçja? tha sekretari i habitur.

Po, unë jam! Ta këndoj  këngën O  Azerbajxhan? e pyeti  Vaçja, e gëzuar nga që  ai e njihte.

Pa ta dëgjojmë  një herë !  i tha sekretari…

Dhe Vaçja  shpërtheu….

Oborri  i shtëpisë së pionierit, në çast  u shndërrua në sallë koncerit. Vaçja  krijonte  kudo salla  koncerte  të befta  që në fillimin e karrierës së saj.

Në  vitin 1956, e takoj  Vaçen  para  bibliotekës  së qytetit. Në këtë  kohë Vaçja  i kishte  kaluar kufijtë  e Lushnjes. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej  shumë për të, bëheshin  shumë thashetheme  e  cirkonin me baltë.  Por cirkat  e baltës  nuk zinin  në  trupin e bukur  të pastër, të kulluar  të këngëtares, sepse Vaçja  dhe kënga  ishin një dhe s’ka baltë që e cirkos  këngën  që pastron  shpirtrat dhe vetëpastrohet  si uji  gurrës.

Të keqen motra, më thotë, Vaçja, futu pak  në sallën  e bibliotekës  mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam  lënë revistën  italiane. Noi  donne  e cila  në brendësi  të saj, ka faqet e modës. Unë po vij  te dritarja, më  tha  dhe ti  ma jep  revistën. Më fal që po të mundoj !

Kur e mori  revistën  u gëzua shumë. I pëlqente  moda. Vishej  me copa të lira, por  i priste dhe i  qepte bukur, krijonte modele të reja. Vishej  me shijen e top modeles më të mirë. Por kjo  ishte e parakohshme  për qytetin tonë, madje  edhe për  Shqipërinë  e atëhershme  që sapo  kishte dalë  nga zija e bukës. Vaçja  me revistën  në sqetull  unë me  një fletore  vizatimi në  dorë, bisedonim në trotuar  larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur  një fund  të kuq  basmeje. Një gisht poshtë  fundit të kuq, dukej një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh  dy gra.  Njëra  i thotë  shoqes, qyqja  shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën dy pëllëmbë  poshtë fundit. Është  zhypon  mos të plaçin sytë, nuk  është këmishë, iu shkreh Vaçja  me indinjatë, gruas injorante  dhe cinike.

Mirë ia bëre, i thashë Vaçes duke i dhënë  të drejtë.

Vaçe  Zela  s’ia  përtonte  askujt që i binte më qafë  sikur  dhe mbret të ishte.

Pas lirimit nga ushtria  fillova studimet  në Liceun  Artistik  për pikturë.

Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s’ishte e qetë. E axhituar shpirtërisht.

E di si po qarkullon një fjalë e dalë nga goja e pedagoges sime Marie Krajës, sikur ajo më paskësh thënë që, «Ti Vaçe çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh».

Po ti këngëtare je, i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. Janë në vete këto, apo flasin kuturu?!

E po ik dhe mbushu mendjen pa, më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.

Vaçja u largua nga Liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që spo shuhej. Vaçja ishte një artiste që rebelonte.

Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja se Vaçes çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhesh kurrë. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagoget e kantos kishin thënë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagoget s’e mohonin, por e pohonin jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s’mund të injoronin veten.

Me këtë thënie u spekulua shumë. Por e vërteta është se Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin cmirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.

Pas kësaj Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa semaphore e vija të bardha. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë ende nuk ishte e nivelit që është sot.

Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes se si ndihej

në shtëpinë e kulturës.

Mizerje, më thotë.

Pse mizerje?

Po ja… Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Merrte pjesë sekretari i Parë me suitën e tij. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret sekretari i Parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç’më tha: Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi…

Ç’t’i thosha Buzos. T’ia përmblidhja të merrja veten më qafë?

Të shkretët ne ia ktheu Vaçja thellësisht e trishtuar …

Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S’e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë,kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me ansamblin e ushtrisë. Viti s’më kujtohet.

Të keqen motra, thotë Vaçja. Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku ato pak lecka të rregullohen pak.

Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonin dhe ajo donte t’i nderonte dyfish kolegët.

Të talentuarit janë mirënjohës dhe etikë të mëdhenj. Vaçja edhe pse e thjeshtë, prapë në thellësi të sja, flinte dhe zgjohej shpirti aristokrat. Sidoqë të ishin njerëzit që njihte, ajo i takonte me shumë përzemërsi pa asnjë përpjekje për shmangie edhe kur ata ishin me qeleshe ose opinga. Një herë u sëmur një kushëri i saj. U shtrua në spitalin e Tiranës. Vaçja e vizitonte gati çdo ditë. Mjekët shtuan përkujdesjen. Ata e prisnin me padurim ardhjen e këngëtares magjike. Sapo hynte në korridorin e spitalit artistja e madhe, të sëmurët thoshin se po vinte sorkadhja.  Kishte ecje të lehtë prej sorkadheje prandaj të sëmurët e quanin ashtu.

Nuk mbaj mend nëse Vaçja këndoi me zë të ulët ndonjë këngë spanjolle apo italiane të sëmurëve. Mbase edhe u ka kënduar por unë s’e mora vesh. Po ku i rrihej Vaçes pa këngë?

Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: Bravo, bravo, braaaaavo! E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: – Epo s’jemi në Italie këtu … Epo edhe në Turqie nuk jemi, de – i thotë Vaçja koleges.

Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish e burgosur politike që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja përkëdhelej si fëmi. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç’kishin thënë rumunët. Isha së bashku me Luçie Milotin, më thotë. Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç’i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani?

Çfarë? Nëse Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.

SHTËPIA NË LUSHNJË, KU KA LINDUR VACE ZELA

Vaçja jetonte vërtet në Tiranë, por Lushnjën e vizitonte për çdo rast të gëzimi apo hidhërimi. Ajo kishte njerëzit e saj në Lushnjë dhe kur vinte, shkonte e bënte vizita në shtëpitë e tyre. Një herë më qëlloi ta gjej Vaçen te mamaja e piktorit Luan Boriçi të cilën ajo e kishte vajzë xhaxhai. Piktorri Luan Boriçi po bënte një kompozim për Luftën dhe na ftoi të shikonim kompozimin e tij të cilin do ta dorëzonte në ekspozitën kombëtare. Shkuam për ta parë kompozimin, së bashku me shkrimtarin Halil Jaçellari dhe poetin e shkrimtarin Fatbardh Rustemi. Aty gjetëm Vaçen të ftuar për drekë nga kushërira e saj, Zenepe Boriçi.  U gëzuam që po takoheshim me Vaçen me idhullin tonë. Bëmë shumë biseda për artin, por ajo që më ka mbetur në mend është habia që shprehu Vaçja, kur mori vesh se Kadareja kishte ardhur në Lushnjë, i ftuar nga poeti dhe shkrimtari  Fatbardh Rustemi i cili hynte e dilte më shpesh në shtëpinë e Kadaresë nga ne dy të tjerët. Ishte koha kur shtëpia botuese «Naim Frashëri» i kishte dhënë Kadaresë për reçencë, romanin e H. Jaçellarit: «Nesër është e diel». Por habinë më të madhe,Vaçja e shprehu, kur mësoi se Kadareja, jo vetëm kishte ardhur në Lusnjë bashkë me Helenën, por edhe kishte fjetur një natë në shtëpinë e shkrimtarit, Fatbardh Rustemi. Kurse kur Halil Jaçellari i tha Vaçes se Kadareja kishte shkruar një ese për librin tim të parë poetik «Sot», tha: kjo është mrekullia vetë, gjeniu i letërsisë shqipe, ka shkruar për një lushnjar, sepse sheh ecje tek ai, sheh që ai është  hapgjatë në rrugën e vështirë të artit që, siç thotë vetë Kadareja, «në të ka dhe ujqër dhe ditë dhe natë», Vetëm me gjestin e Lushnjës, tha Vaçja, Kadareja i paska larë të gjitha gjynahet që ia veshin padrejtësisht, gjoaja sikur ai, nuk çan kokën për asnjë krijues në botë, përveç vetes së vet,

Vaçja i gëzohej çdo talenti të ri, kudo që ai të çelte, veçanërisht u gëzohej talenteve që çelnin e lulëzonin në Lushnjë. Ajo i gëzohej dhe fliste me fjalë sipërane për këngëtaren Elida Korreshi

( Gjermeni) dhe këto fjalë i thoshte kur Elida hidhte hapat e para të karrierës si këngëtare.

Një herë tjetër, kur Vaçja, mësoi se djali im Helidoni u nderua me Çmim të parë, për punime në akuarele në ekspozitën ndërkombëtare në Oslo të Norvegjisë, erdhi në studion e djalit që të shihte akuarelet, për të cilat kishte dëgjuar fjalë të mira. Pasi i pa me kujdes punimet tha me përkëdheli, natyrisht: «Po si mor Helidon, nuk ke vënë dy – tre karrige për t’u ulur të tjerët që të vinë në studio. Ja, unë jam plak, nuk qëndroj dot në këmbë»

Ju plak? Ç’thua kështu, Vaçe!. Plaket mbretëresha e këngës? Qeshëm… Ndërkaq djali hoqi nga muri akuarelet të cilat Vaçja i kishte pëlqyer dhe ia dhuroi nënës së saj Vajës, të paketuara. Ato akuarele janë ende në shtëpinë e saj në Tiranë.

***

Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s’druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen surpriza shqiptare. E urova. Më thotë gjithë entuziazëm:

Do të përgatis një recital që …

Ashtu?

Po!

Ç’është ky cital moj bijë, e pyet gjyshja.

Jo cital, moj gjyshe. Recital, – i thotë Vaçja gjyshes duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja mbesa, dhe jo Vaçja.

Recitali moj gjyshe është …

Hë? Si është, thuaja gjyshes…

Është …, e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena …

E pse?

Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef….

Po qe kështu, lëre lanetin …

Po Vaçja s’e la këngën.

***

Biseda ime e fundit në telefon me Vaçe Zelën, ka qenë para një viti, kur ajo mori vesh për operacionin tim në zemër dhe më merr në telefon nga Zvicra. Më një zë disi të shuar, më uroi të shkuara dhe shërim të shpejtë. I them faleminderit Vaçes, po me një zë disi të vakët dhe unë, nga emocioni e mallëngjimi. A më more në telefon ti Vaçe, a u interesove ti, për mua, le të vdes tani…! «Ç’më thua, unë të telefonova të të uroja shërim të shpejtë, shëndet e jetë të gjatë, e jo që ti të vdesësh…!», më qortoi Perëndesha jonë.***

Kur mësova shuarjen e Vaces, vetvetiu perifrazova dhe unë me vete, qortimin që i bën Montago Romeos, birit të vdekur: « O bir pa edukatë! / Ç’është kjo sjellje / Të  hysh në varr më parë se yt atë?»

  Lushnjë, 2016 – 2019