25
Tet
Ardhja e saj në Tiranë u prit me shumë entuziazëm nga fansat por jo vetëm. Pas fitimit të “The Voice of Italy”, padyshim që Elhaida Dani u shndërrua në shqiptaren më të dashur. Pas triumfeve të njëpasnjëshme në Shqipëri, Elhaida tregoi edhe një herë, në vendin fqinj, se me çfarë brumi është gatuar.
Në sajë të performancave të shkëlqyera arriti të marrë mbi 70 për qind të votave të teleshikuesve. Një sukses personal, që për fat të keq u tentua të tjetërsohej. Siç ndodh rëndom në vendin tonë, edhe triumfet personale të çfarëdo lloj përmasash qofshin, përpiqen të paraqiten si kombëtare. Megjithëse Elhaida u përpoq të rrinte larg politikës, ajo e përfshiu atë. Vizita e saj së bashku me kantautorin e njohur Rikardo Koçiante u vu në fokus nga fansat, mediat por edhe politikanët. Për kantautorin e njohur italian Rikardo Koçiante ishte hera e parë që vizitonte Shqipërinë dhe nuk e fshehu kënaqësinë kur mori vesh që gëzon popullaritet të madh në vendin tonë. “Nuk dija që isha kaq i famshëm këtu. Dija diçka, por jo shumë. Për këngën “Margherita” s’e dija që ishte kaq i fortë si mit, më bëhet shumë qejfi kuptohet, pasi e kam kompozuar e kam kënduar, dhe është bukur të mësosh që një popull është kaq pranë këtij lloj arti”, tha Koçiante. Për Koçianten kjo ishte vizita e parë në Tiranë. I pyetur nga gazetarët ai tha se ndjehet i lumtur që gjendet në Shqipëri. “Është hera e parë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Dhe mbi të gjitha që kam bashkëpunuar për të bërë diçka për artin ndërmjet dy vendeve tona. Që në fillim kam menduar që arti s’duhet të njohë kufij, por kjo u konfirmua edhe njëherë tjetër pikërisht në këtë spektakël, pasi italianët janë treguar të hapur duke vlerësuar me çmim një këngëtare të talentuar, por që nuk është italiane. Prandaj ky për mua është një çmim i dyfishtë, dhe kjo demonstron edhe njëherë që arti s’duhet të vuajë nga nacionalizmat”, tha Koçiante. Në takimet e programuara të dyshes fituese të “The Voice of Italy” ishte edhe ai me kryeministrin e vendit Sali Berisha. Berisha falenderoi Koçianten për ndihmën që i dha Elhaidës gjatë konkurrimit të saj. “Unë ju falenderoj shumë për ndihmën tuaj në këtë sukses të Elhaidës, ndihmë pa të cilën nuk do të ishte i mundur ky sukses i madh”, – tha kryeministri. Duke i përsëritur urimet e tij më të përzemërta Elhaidës për suksesin e arritur, kryeministri Berisha tha se atë mbrëmje shqiptarët kudo, kanë qenë të elektrizuar nga fitorja e saj. “Shqiptarët, – tha kryeministri, – e kanë pritur me një entuziazëm të jashtëzakonshëm suksesin tënd, sepse të fitosh në atdheun e këngës dhe muzikës, siç është Italia, është diçka e madhe dhe kjo e bën fitoren shumë më të madhe”. “Të uroj një karrierë që ti Elhaida e meriton, një karrierë plotësisht brilante”, – tha më tej, kryeministri Berisha. Nga ana e saj, Elhaida i shprehu kryeministrit Berisha falenderime dhe mirënjohje për këtë pritje, por shprehu emocionet e saj edhe për të gjitha nderimet që po i bëhen në Tiranë.“Unë ju falenderoj shumë për pritjen tuaj dhe gjithçka që ju po bëni për mua edhe për mjeshtrin që më ka ndihmuar, Rikardo Koçiante. Nuk kam fjalë t’ju shpreh mirënjohjen dhe falenderimet e mia”, – tha ajo. Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha i dhuroi këngëtares Elhaida Dani simbolin e çelësit Sol të punuar në filigram dhe monedhën e argjendtë të 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e cila në njërën anë ka shqiponjën dhe në tjetrën ka deklaratën e Pavarësisë edhe firmëtarët e saj. Ndërsa kompozitorit Rikardo Koçiante i dhuroi një penë në argjend dhe monedhën e argjendtë të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Një tjetër takim i rëndësishëm ishte edhe ai me Presidentin e Republikës, i cili duke vlerësuar lart kontributin e kantautorit Rikardo Koçiante e nderoi atë me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Si një artist mbarëbotëror, mik i shquar i Shqipërisë, i cili ka kontribuar në promovimin dhe lartësimin e talenteve dhe vlerave të tyre shpirtërore”.