To top
21 Mar

Timo Flloko & Vera Grabocka dikur dhe sot!

1 Marsi është Dita e Poezisë. 21 marsi është edhe ditëlindja e regjisores Vera Grabocka. E kush më mirë se Timo Flloko mund të bashkonte ditën e poezisë me ditëlindjen e Verës?! Regjisorja postoi në Instagram disa foto të çiftit dikur dhe sot, shoqëruar edhe me poezinë që Timo i ka kushtuar asaj. “Gëzuar ditëlindjen dashuria e jetës sime ♥”  shkruhet në postim. Ajo që vihet re është se Vera Grabocka nuk ka ndryshuar . Ajo shfaqet me te njëjtat tipare dhe flokët si dikur e re. Por dhe pas nuk mbetet as aktori i njohur Timo Flloko.

Vargjet janë shkëputur nga poezia “Ekuinoks ’83” pjesë e librit të Timo Fllokos me poezi dhe poema, “Trup e shpirt”. Poezia flet për dashurinë e tyre, për dyshimet, largësinë, por njëkohësisht edhe për ndjenjat që i rezistuan kohës. Në vijim gjeni vargjet që Vera postoi në Instagram si edhe poezinë e plotë:

21 Mars, ekuinoks
Verës.

E dashur Ve(ne)ra,
reja u tret qiellit,
fryu era.
 
E shtrenjtë, këtë herë
mbërrij tek ti,
përngaherë,
prej largësisë ekuivalente mes nesh,
në ditën baras me natën,
nga koha kur ishim aq larg
dhe po aq pafundësisht afër.
 
Largësisë dashuria humb,
nëse s’mbërrin në fund.  
 
Ekuinoks…
Mars.
Me kohën pas.

Poezia e plotë:

“Ekuinoks ’83”

V-së

Ekuinoks ’83.
Mars.
Në qiellin e kthjellët një re.
E vetme, një re…
Rend larg,
për tek ti, atje.

Dikur, ti pe një ëndërr të mjegullt,
një re kishte hyrë në të, e pezullt.

Sa herë ti pe netëve ëndrra,
të kaltra, të bardha, të frikshme, të rënda,
mes tyre, në forma të çuditshme,
misteret hynë brenda.
Rite anonime,
supersticioze,
në rrathë të shformuar,
viciozë,
të zhytën në dëshpërim.
Jeta… një rendje.
M a r r a m e n d j e.

Ekuinoks.
21 mars.
Koha oazë…

Pranvera të paduruara,
plazhe të diellta jugore,
vjeshta të vonuara,
dimra të ftohtë veriorë.

Lotët nga ujëvarat e syve
mbi kraharor binin si katarakt,
dora e Shën Marisë e magjishme
kalonte mbi portretin tënd atë natë.
Vonesa – ankthi i pritjeve,
prekja e shqetësuar e duarve nën pardesy,
rrathët mavi nën sy,
fishkëllima e një treni në largësi,
çaste ikjeje,
me grimasa dhimbjesh
të padukshme në shpirt,
me dyshimin e përhershëm
të dashurisë,
premtimi i kthimit
dhe frika në fshehtësi.
Suspans si në një film
të hershëm,
bardhë e zi…!

E dashur Ve(ne)ra,
reja u tret qiellit,
fryu era.

E shtrenjtë, këtë herë
mbërrij tek ti,
përngaherë,
prej largësisë ekuivalente mes nesh,
në ditën baras me natën,
nga koha kur ishim aq larg
dhe po aq pafundësisht afër.

Largësisë dashuria humb,
nëse s’mbërrin në fund.

Ekuinoks…
Mars.
Me kohën pas