Prestigjiozja amerikane “Washington Post” rekomandon vendin tonë për plazhe kristal dhe çmime të lira.
Në një artikull dedikuar Shqipërisë, media në fjalë sugjeron që në vend të Mykonos-it, të zgjedhin Shqipërinë. Për ata turistë që nuk dëshirojnë më të pushojnë nëpër plazhe të mbipopulluara të Greqisë, kjo gazetë sugjeron Shqipërinë.
“Për ata që duan plazhet e kristalta dhe çmimet e përballueshme, Shqipëria është destinacioni ideal i pushimeve edhe pse nuk është aq i njohur sa Mykonos”, sugjeron ‘Washington Post’.
Përgjatë Rivierës Shqiptare vizitorët do të mund të gjejnë plazhe të shumëllojshme. Por jo vetëm plazhet, Shqipëria ofron bukuritë e maleve, hiking apo dhe eksplorimet me biçikletë. Media amerikane veçon antikitetin e qyteteve shqiptare. Historia, por dhe arkitektura e shumë zonave, janë destinacione tërheqëse për sezonin veror.
Washington Post është media e radhës që promovon plazhin, qytetet dhe bukurinë e Shqipërisë. Ky shkrim është shpërndarë nga kryeministri Rama në rrjetet sociale.