To top
12 Kor

Të vërtetat e piktorit tiranas Serxho Petrela : “Lulet” dhe “Rrugicat e kryeqytetit” .

Nga Andi Bica , Beti Kumi
Serxho Petrela, një piktor i cili tanimë e ka krijuar profilin e tij individual me punimet në telajo , vijon të na sjellë motivet jetësore brenda kuadrateve të realizuara.
E veçanta e Petrelës në artin pamor , është ndjeshmëria që ai bart në thellëbrendinë e vet, të cilën e shpalos me shumë pigment gjallues mbi sipërfaqe piktorike. Tek punët e tij në motivet e Luleve , dallohet ekspresioni i lëvizjes së formave , larmia e ngjyrave të jetshme si edhe strukturat e vijëzimeve të realizuara duke i dhënë pikturës mbylljen e filtruar të saj.

Emetimi i energjive që shpërndan nga vetja tek shikuesi , bën që punimet e tij të komunikohen lehtësisht duke u prekur me aromat , ngjyrat e format e tyre natyrale.

Kthehemi tek peisazhet tipike të vendlindjes , në “Rrugicat e Tiranës” . Duke u nisur nga realiteti i jetuar prej tij , në filmin e shtrirë të kujtesës , Serxho e pasuron me fantazinë krijuese si edhe kërkimin që ai vijon brenda vetvetes, për të na sjellë mbi telajo copëza shpirti, që gjithsecilit i lëvizin memorien emocionale të breznive.
Paraqitja e njeriut tek punët e tij , sado simbolik , në praninë e pakët , e jetëson e i dhuron limfë natyrës së një Tirane idilike.
Përsa i takon përmasimit të njeriut në raport me mjedisin , ai e shikon herë me gravitet të lartë e herë të lehtë në ecejake, duke ritmuar brenda kuadratit, me këtë disproporcion të ekuilibruar sipas dëshirës së piktorit. Kjo na kujton parimin se arti i vërtet shkon në kahje të kundërta me natyrën , megjithë ndërthurjet e njëri tjetrit. (Piktori e sheh njeriun i distancuar nga larg , si pjesë e peisazhit në modelin e pikturës ilustruese në artin dekorativ islam , kurse tek përmasat e personazheve të tij në miniaturë ashtu si në fillimet e artit bizantin nuk zbatohet perspektiva , por rëndësia subjektive e vetë realizuesit. )

Tek cikli vijues i “Rrugicave të Tiranës” , shihen detaje përfaqësuese të qytetit , si dyert e vjetra prej druri, avllitë rrethuese me tullat e lyera me të bardha, vënde vënde të gërryera nga koha , blerimi i pemishteve kacavjerrëse , shtyllat elektrike të shtrembëruara , çatitë tradicionale me oxhakët tymues , tendat e shtrira të dyqaneve me emërtesat e njohura të dikurshme si Byrek , Mëngjezore , Birrari , Ushqimore , tabela që evokojnë një pjesë të bukur të së kaluarës së përbashkët.
Ngjyrat tek peisazhi urban kryeqytetas , vijnë të forta , mbizotërojnë njollat e ftohta , por godasin në këtë tërësi herë e verdha e dritshme diellore , herë e kuqja e përflakur në zjarrin veror me tonalitetin e brendshëm pasional , e herë jeshilja paqtuese si kulmi i një teqeje të moçme sipas gjurmëve nga realiteti i përpunuar i njeriut krijues. Në këtë mënyrë autori hedh dritë , duke ndalur kohën tek disa objekte të itinerarit njerëzor .

 

Raporti grafik edhe tek punët e Petrelës është i lirë në kompozim duke shpërndarë të errëtat e të çeltat, me sistemin e dendur të vijëzimeve , piktori arrin të krijojë mjeshtërisht baraspeshën në imazhet e sjella tek këto prurje. E ndiejmë këtë drejtpeshim si në ciklet e “Luleve” po ashtu tek peisazhet e “ “Rrugicave të Tiranës” .
Piktori Petrela pëlqen të komunikohet me gjuhë të thjeshtë vizuale me publikun. Por shtegu për të mbërritur deri në këto limite , e për ta ruajtur këtë kualitet të zgjedhur , nuk është i rrafshët. Piktori dallohet nga të tjerët për qëndrimin besnik ndaj “emrit të vetvetes” , duke qëndruar i lidhur shpirtërisht me truallin e të parëve. Serxho në dinjitet ndaj zejes artistike që zhvillon me lindjen e diellit e deri në perëndimin e frymëzuar , asnjëherë nuk është i njëjtë në interpretimet e reja , brenda dritareve të tij nga e kundron jetën. Ai ruan diçka të pandryshuar në kohë, tharmin e disa vlerave që i japinë më shumë vërtetësi pikturave të tij.