Në garën për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashës i duhet të përballet me përgjegjësinë e humbjes, të cilën ai e diskutoi me demokratët e qarkut të Lezhës.
“Marr përgjegjësitë e mia dhe pranoj përgjegjësitë e mia në këtë proces. Gabimet e mia janë të gjitha politike, sepse prej minutës së parë asgjë se kam bërë për veten time, për pushtetin tim, apo për karriken time, por gjithcka e kam vënë në funksion të Partisë Demokratike dhe demokratëve të thjeshtë”, tha Basha.
Por për kandidatin tjetër, Eduart Selami, që takoi gjithashtu demokratët në qarkun e Lezhës, rikthimi tek meritokracia është çelësi për ringritjen.
“Besoj që së bashku jo vetëm do ta kthejmë PD në parti fituese, por do ta kthejmë Shqipërinë edhe një herë në rrugën e suksesit, jo vetëm rajonal por edhe më gjerë”, tha Selami.
Selami beson se mund t’u japë demorkatëve lidershipin e munguar. “Unë kam besim absolut se demokratët janë forca më progresive e Shqipërisë që gjeneron sukses edhe progres dhe këtë e kanë dëshmuar faktet. Prandaj, kjo më bën mua kaq krenar që jam demokrat dhe unë jam këtu që me energjine tonë, t’ia dalim dhe në këtë sfidë të ringritjes së PD”, u shpreh Selami.
Ndërsa Basha këmbënguli tek bashkimi i demorkatëve përballë një force politike që zgjodhi të blejë me çdo formë dhe çmim një mandat të ri.
“Në Kavajë u bashkuan të gjithë faktorët dhe për herë të parë pas tetë vjetësh, Partia Demokratike u rikthye forcë e parë politike në Kavajë, në një qytet ku sundonte banda e Ervin Roshit, një nga më famëkeqet, ku paratë u derdhën lumë nga një nga kapot e korrupsionit që është Arben Ahmetaj, duke paguar shuma marramendëse, deri në 100 mijë euro për 40 vota në Stan të Ri”, tha Basha.
Të dy kandidatët besojnë se fuqizImi i anëtarësisë në vendimmarrje do të jetë garanci për ringritjen dhe fitoren e demorkatëve.