To top
11 Gus

Si u zhdukën 50 milionë euro në bankat shqiptare

24 histori grabitjesh, vjedhjesh e mashtrimesh në banka. Si nisi seriali i plaçkitjeve në përmasa të mëdha dhe evoluimi në 25 vjet. Kush janë ato më të bujshmet që përfshinë deri guvernatorë të BSH dhe një kryeministër

Nga Roland Qafoku

Me falsifikim, me mashtrim, me maskë në fytyrë dhe armë në dorë, për njerëzit e krimit nuk ka patur rëndësi se në ç’formë duhet të vidhej një bankë. Në Shqipëri, rëndësi ka patur ta arrijnë këtë vjedhje, pavarësisht rrezikut. Historia e vjedhjeve dhe grabitjeve të bankave në Shqipëri, është një me moshën e postkomunizmit. Nuk bëhet fjalë, as gjatë mbretërisë dhe as gjatë komunizmit të vidhej ndonjë bankë. Por sistemi i ri demokratik, më saktë akoma, tranzicioni, solli edhe risinë: Për botën e krimit, banka u shndërrua në një koshere blete. Janë 24 histori të vjedhjeve, grabitjeve dhe abuzimeve në banka që, nëse i mbledh së bashku shumën, e grabitur rezulton se kjo shkon në 50 milionë euro, shifër tejet e konsiderueshme për Shqipërinë. Një shifër e tillë, sipas specialistëve, llogaritet sa të ndërtohet një rrugë e re e të gjatë 50 kilometra. Por shteti shqiptar ka humbur kaq shumë, jo vetëm në vlerë, por edhe në besim. Të gjitha, pa asnjë përjashtim, janë ngjarje të denja vetëm për fantazinë e Holliwood-it. Në formë të përmbledhur vijnë, për herë të parë, duke na sjellë mozaikun e një krimi tepër të ndërlikuar, të frikshëm dhe që tregon fuqinë e bandave, por edhe dobësinë e shtetit shqiptar.

1.

30 MARS, 1992 SKANDALI “ARSIDI”, SI U VODHËN 1.6 MILIONË USD

Kur Shqipëria përjetonte kalimin nga sistemi komunist, në atë demokratik dhe kur PD-ja sapo kishte ardhur në pushtet, shpërtheu një skandal bankar me shifra marramendëse për kohën. Një francez, me emrin Nikolas Arsidi, dhe i moshës 74 vjeç, mori përsipër shlyerjen e borxhit të jashtëm të Shqipërisë, duke përfituar në formë honorari një kambial prej 1.6 milionë dollarë. Edhe pse paratë u morën, shlyerja e borxhit nuk u bë e mundur. Ndërkohë që, kjo mënyrë operimi u cilësua e jashtëligjshme. Pas nisjes së një procesi nga ana e prokurorisë, u arrestuan pesë zyrtarë të nivelit të lartë, mes të cilëve kryeministri Vilson Ahmeti i cili sapo kishte lënë detyrën, guvernatori Ilir Hoti dhe tre bankierë. Ata u dënuan nga 12 vjet burg, por, falë amnistive të bëra në vitin 1997, të gjithë të mësipërmit u liruan.

2.

29 JANAR, 1993 GRABITET BANKA E KURSIMEVE NË TIRANË

Kronikat e zeza e shënojnë këtë si ngjarjen e parë të rëndë, që pas rrëzimit të sistemit komunist. Afro 1 vit nga ardhja në pushtet e Partisë Demokratike, u shënua edhe ngjarja e parë e rëndë me vjedhje me dhunë. Një grup personash të armatosur, kanë hyrë me forcë në mjediset e një dege të Bankës së Kursimeve, në bulevardin pranë stacionit të Trenit, dhe morën andej të gjitha paratë që ndodheshin në arkë. Mendohej se ishin afro 307 mijë USD, por shuma asnjëherë nuk është saktësuar nga zyrtarët. Qeveria e asaj kohe ia faturoi këtë grabitje organizatës të ashtuquajtur “Hakmarrja për drejtësi”. Por, vetëm pak ditë më parë, të gjithë personat e akuzuar morën pafajësi, duke e lënë këtë ngjarje pa autor.

3.

20 JANAR, 1995 GRABITEN 2.6 MILIONË NË BANKËN E KURSIMEVE, VLORË

Vetëm dy vjet më pas, ndodh një tjetër grabitje dhe për koincidencë, sipas policisë, autorë janë po anëtarët e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”. Nën kërcënimin e armëve, personat e armatosur kanë hyrë në mjediset e bankës dhe morën paratë që ndodheshin. Sipas policisë, vlera e parave të marra shkonte 2.6 milionë lekë të rinj.

4.

TRAZIRAT E MARSIT, 1997 BANDAT GRABISIN TË GJITHA BANKAT E SHTETIT

Trazirat e marsit 1997, ishin goditje e madhe për të gjitha bankat e Shqipërisë. Në periudhën kur shteti ra dhe u shkatërrua gjithçka, pothuajse të gjitha bankat u shndërruan në target të grabitësve. U grabitën degët e bankës së Kursimeve në Gjirokastër, Berat, Kuçovë, Skrapar, Tepelenë etj. Vetëm në filialin e Gjirokastrës, u grabitën afro 320 milionë lekë të vjetra, nga një bandë e armatosur prej 16 vetësh, të cilët mbetën të vrarë, dy ditë më pas, në masakrën e njohur të Levanit. Kurse për të grabitur bankën e kursimeve në qytetin e Beratit, bandat e këtij qyteti përdorën mjete të blinduara të cilat i kishin marrë në repartet e ushtrisë, të shkatërruara në atë periudhë.

5.

12 JANAR, 1998 GRABITEN NË BANKËN E TROPOJËS 480 MILIONË LEKË

Mungesa e shtetit vijoi, për inerci, edhe disa vite pas vitit 1997. Afro 1 vit pas trazirave, persona të armatosur, pasi morën peng dy policët që ruanin objektin e bankës së Kursimeve në Bajram Curri, u futën brenda saj dhe grabitën të gjithë shumën e parave që ndodhej aty, në gati 480 milionë lekësh, rrogat, pensionet dhe asistencën sociale të të gjithë rrethit.

6.

23 SHTATOR, 1998 2 MILIONË USD NË BKT, GJATË TRAZIRAVE

Zbulohet një skandal vjedhjeje, me përmasa të mëdha, në BKT. Dy zyrtarë të kësaj banke kërkuan të transferojnë në një bankë tjetër 2 milionë dollarë për llogari të BKT, por rezultoi se materialet shkresore, ishin false. Pas nisjes së hetimeve, Prokuroria e Tiranës firmosi në mungesë, dy urdhër arresti për punonjësit S.Z. dhe A.L. Prokuroria nisi menjëherë hetimet pas denoncimit të BKT-së dhe çështja kaloi për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Një trup gjykues dënoi, me 2 vjet burg në mungesë, dy punonjësit, pasi ata ishin arratisur në Kanada dhe Amerikë.

7.

SHTATOR, 1998 ZBULOHET VJEDHJA E ARIT NË TUNELET E KRRABËS

Zbulohet një nga grabitjet më të mëdha në bankë. Këtë herë nuk bëhej fjalë për para, por për rezervat e arit në tunelet e Kërrabës. Zbulimi i bërë krejt rastësisht, rezultoi, në fakt, se ishte kryer që nga trazirat e marsit, 1997, dhe kishte vazhduar edhe më vonë. Sipas llogarive të kryera, u zbulua zhdukja e 340 kilogramë flori, në monedha dhe sende të çmuara, të ruajtura në tunelet e brendshme. Floriri i mbetur u transportua menjëherë drejt Tiranës. Pas nisjes së hetimeve u ndaluan 5 persona, banorë të fshatit Krrabë, si të përfshirë në grabitjen e arit, të cilët më pas u dënuan.

8.

29 TETOR, 1998 KASAFORTA ME 800 MILIONË LEKË, GRABITET ME VINÇ

Tropojë, më 29 tetor 1998, ku një grup i madh personash të armatosur, grabitën Bankën e Kursimeve. Por, këtë radhë, grabitja ishte më spektakolare dhe shuma gati 80 milionë lekë të rinj. Grabitja e armatosur e 29 tetorit, përbën dhe sulmin më spektakolar që u është bërë ndonjëherë bankave shqiptare. Një grup i madh personash të armatosur, me uniforma ushtarake dhe policie, morën me forcë vinçin e ndërmarrjes pyjore dhe e nxorën kasafortën e blinduar të bankës nëpërmjet murit anësor të saj. Kasaforta u gjet e hapur në lumin Valbonë dy ditë më pas. Autorët nuk janë zbuluar ende.

9.

25 MARS, 2000 PIRATI I BANKAVE, KEJDI KOTE

Në Bankën e Kursimeve në Tiranë, shënohet një vjedhje spektakolare. Një djalë i ri, me emrin Kejdi Kote, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, me ndihmën e një grupi prej 12 personash, duke përfshirë deri dhe pjesëtarë të personelit të Bankës së Kursimeve, mori 250 milionë lekë që ndodheshin në numrin e llogarisë të një biznesmeni nga Berati. Grabitja e Kotes u realizua duke falsifikuar dokumentet. Ai u arrestua dhe u dënua me 12 vjet burg dhe pas mbarimit të tij është i lirë.

10.

23 GUSHT, 2002 GRABITJA E BKT-së SË VLORËS

Historiku vazhdon me vjedhjen e realizuar më 23 gusht, 2002. Tre persona, rreth orës 09:30, vjedhin Bankën Kombëtare Tregtare të Vlorës, nën kërcënimin e armëve. Milionat e grabitura u përdorën nga autorët për blerjen e një lokali që më pas është kthyer në disko dhe të një hyrjeje pallati.

11.

15 NËNTOR, 2002

Por banka nuk vidhej vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Në 15 nëntor të vitit 2002, pas një urdhër arresti të prokurorisë, policia arrestoi zëvendësguvernatorin e Bankës së Shqipërisë Dhame Pite. Ai u akuzua dhe dënua më pas, për abuzime me tenderin e prerjes së kartëmonedhave në shumën e 600 mijë eurove, duke u bërë zyrtari i dytë i arrestuar dhe dënuar i bankës, pas guvernatorit Ilir Hoti.

12.

7 GUSHT, 2003 GRABITET “WESTERN UNION” NË KAMZË

Duket se, tashmë, bankat dhe filialet e tyre u bënë target i grabitësve profesionistë. Më 7 gusht, 2003, dy të rinj nga qyteti i Burrelit, vendosin të grabisin filialin e “Western Union”- it në Kamzë. Ata futen brenda ndërtesës të armatosur dhe me maska, dhe arrijnë të marrin nga aty, me kërcënimin e armëve, një shumë prej disa dhjetëra mijë euro dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

13.

6 MAJ, 2004 GRABITEN 25 MIJË EURO NË WESTERN UNION

“Western Union” u bë sërish target i grabitësve. Dy persona grabitën 25 mijë euro, në një pikë të “Western Union”, në Rrugën e Kavajës, në kryeqytet. Dy të rinjtë u arrestuan, shumë shpejt, nga policia, pasi u lajmëruan nga punonjësit, të cilët bënë edhe përshkrimin e autorëve që kishin arritur të kryenin grabitjen.

14.

28 SHKURT, 2004

Nga jashtë, por edhe nga brenda. Banka e Kursimeve, në shkurt të vitit 2004, dega e Tiranës, u përfshi nga një skandal me protagonist punonjëset e veta. Zyrtaret e njësisë Nr. 4, të kësaj Banke të Kursimit, nëpërmjet falsifikimeve, morën shumën e 200 milionë lekë të rinj. Pas denoncimit, prokuroria arrestoi 7 punonjëse, të cilat u dënuan.

15.

6 GUSHT, 2005 GRABITET BANKA AMERIKANE

Në gusht të vitit 2005, në Tiranë, u shënua një vjedhje spektakolare. Rreth orës 11:20, të 6 gushtit, 2005, është vjedhur një filial i Bankës Amerikane në Tiranë, nga katër grabitës të armatosur. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë, ku ndodhet dhe një nga filialet e Bankës Amerikane. Sipas Drejtorisë së Policisë së Tiranës, grabitësit kanë qenë katër persona dhe të armatosur. Pas grabitjes, katër autorët kanë mundur të largohen nga dera e pasme e bankës, duke u shpëtuar kështu, dhe prangave të policisë. Ndërkohë, kjo e fundit ka mbërritur dhjetë minuta më pas. Si fillim, katër grabitësit kanë goditur rojën e vetëm që qëndronte për ditë të shtune në Bankën Amerikane. Pas kësaj, ata kanë hyrë në mjediset e brendshme dhe kanë vjedhur shumën që ka qenë në dispozicion të klientëve të bankës.

16.

20 QERSHOR, 2008 GRABITEN 300 MIJË LEKË TË RINJ

Historia e grabitjeve vazhdon. Një i ri me maskë dhe me pistoletë, është futur në filialin e bankës së nivelit të dytë dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të vjedhë 300 mijë lekë të rinj. Ngjarja ka ndodhur në filialin pranë sheshit “Rilindja” në Tiranë. Kamerat e sigurisë së bankës, e kanë “tradhtuar” dhe më pas është bërë arrestimi i tij.

17.

1 GUSHT, 2008 GRABITET BANKA NË AUTOSTRADË

Nga qendra në periferi. Këtë herë tre persona të armatosur e me maska, kanë grabitur filialin e një tjetër banke në Tiranë. Ngjarja ndodhi në autostradë, kur persona të armatosur kanë hyrë në mjediset e brendshme të bankës dhe kanë kryer grabitjen në kërcënimin e armëve, të rreth 30 mijë eurove. Brenda pak ditësh, policia ka arritur të arrestojë të tre autorët.

18.

22 NËNTOR, 2008 GRABITEN 500 MIJË LEKË TË RINJ

Dhe grabitjet në banka vazhdojnë. Këtë herë pranë zonës së Unazës tek rruga “Bardhyl”. Një person i maskuar dhe me një pistoletë në brez, është futur duke kërcënuar rojet e bankës dhe është drejtuar tek sporteli, duke kërkuar paratë. Pasi ka marrë të gjitha paratë që ndodheshin në sportel në ato çaste, të paktën 500 mijë lekë të rinj, i riu është larguar dhe është futur me shpejtësi nëpër rrugica për të humbur gjurmët.

19.

KORRIK, 2014 GRABITJA E SHEKULLIT, 713 MILIONË MINUS NË BANKËN E SHQIPËRISË.

Punonjës që kanë detyrë të ruajnë paratë e bankës, u kthyen vetë në grabitës të saj. Në korrik të vitit 2014, u shënua grabitja më e madhe e parave në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, aty ku arritën të merreshin rreth 713 milionë lekë. Për këtë ngjarje përfunduan në pranga rreth 10 persona, bashkë me ish-guvernatorin e BSHsë, Adrian Fullani. Ndërsa grabitjen e parave e mori përsipër punonjësi i bankës, Ardian Bitraj, i cili gjatë kohës kur janë kryer hetimet, ka treguar se paratë që ka marrë në Thesarin e Shtetit, i ka harxhuar të gjitha në bixhoz. Bitraj, tashmë, ka marrë edhe dënimin e tij nga Gjykata e Tiranës, një dënim prej 13 vite e katër muaj burg. U dënua me 10 vite burg edhe Mimoza Bruzaj, ish-punonjëse në BSH. Ndërsa ishguvernatori i BSH-së, Adrian Fullani, mori pafajësi.

20.

13 SHKURT 2015 GRABITEN 2.5 MILIONË EURO

Grabitet një banke e nivelit të dytë, pranë Stacionit të Trenit, vidhen miliona euro. Tre persona të armatosur arrijnë të grabisin 2.5 milionë euro, nga një bankë e nivelit të dytë, te ish-Stacioni i Trenit në Tiranë. Personat e maskuar kanë mundur të marrin nga duart e punonjësve të sigurisë rreth 8 milionë euro teksa i transportonin në mjediset e brendshme të një banke. Në pranga përfunduan 8 rojet private, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

21.

3 KORRIK, 2015 GRABITET BANKA NË DURRËS

Grabitjet zhvendosen nga Tirana në Durrës. Në qytetin bregdetar, protagonist u bënë dy të rinj që nën kërcënimin e armëve, morën rreth 38 milionë lekë të vjetra. Vetëm pak ditë pas ngjarjes, Policia e Durrësit ka mundur të vërë në pranga dy autorët e grabitjes.

22.

3 DHJETOR, 2015 GRABITEN NË RINAS 3.8 MILIONË EURO, NË KASHAR

Një grup i armatosur sulmon në afërsi të vendit të quajtur kryqëzimi i Domjes në Kashar, mjetet e blinduara të një shoqërie private sigurie duke i marrë paratë që ata transportonin. Mendohet se shuma e marrë ishte 3.8 milionë euro. Pas hetimeve të policisë, u arrestuan 6 punonjës të shoqërisë private.

23.

1 KORRIK 2016 GRABITJE SPEKTAKOLARE NË AERPORTIN E RINASIT

Të veshur me uniforma policie, një bandë grabitësish arritën të sulmojnë rojet e shoqërisë private Rogat Security, që transportonin paratë në Rinas, duke u marrë 3 milionë euro nën kërcënimin e armëve. Grabitja është kryer në mjediset e brendshme të Aeroportit. Kjo ngjarje u zbulua bashkë me grabitjen tjetër.

24.

9 SHKURT 2017 GRABITEN 3.2 MILIONË EURO NË QAFË-KASHAR

Një grup i armatosur sulmon 2 blinda që transportonin para të një banke në rrugën drejt Rinasit në Qafë-Kashar, duke marrë 3.2 milionë euro. Vetëm brenda pak ditësh ,policia bëri zbulimin spektakolar të kësaj grabitjeje, por edhe të asaj të ndodhur më 3 dhjetor, 2015. Kështu, pas hetimeve, u arrestuan Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, ish-punonjës në SHPSF “Rogat”, Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ish-efektiv në forcat ushtarake, Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish-ushtar profesionist në forcat ushtarake të Zallherrit, Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat. Ndërkohë u shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre.