Ndahet nga jeta Avni Mula, kompozitori i shquar shqiptar. E bija, Inva Mula bëri me dije se homazhet për të atin do të zhvillohen ditën e sotme duke nisur nga ora 11:00-13:00, në hollin e Universitetit të Arteve, në Tiranë. Megjithatë pjesëmarrja do të jetë e kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ndërron jetë, Avni Mula, një prej korifenjëve të muzikës shqiptare. Kompozitori i shquar ka mbyllur sytë mbrëmjen e djeshme në moshën 92-vjeçare, ndërsa e bija, sopranonja e njohur Inva Mula bëri me dije lajmin për ndarjen e tij nga jeta. Gjithashtu Inva bëri me dije se homazhet për të atin do të zhvillohen ditën e sotme duke nisur nga ora 11:00-13:00, në hollin e Universitetit të Arteve, në Tiranë. Megjithatë pjesëmarrja do të jetë e kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Mula dha frymën e fundit në banesën e tij, pasi prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kishte filluar që të mbushej me frymë vetëm me një tub oksigjeni. Ai ndërroi jetë disa vite pas bashkëshortes së tij, Nina Mula.
Sopranoja ruse u dashurua me djalin nga Shkodra dhe vendosi që të linte vendlindjen e saj për të jetuar dhe krijuar familje në Shqipëri. Çifti u bënë prindër të dy vajzave Invës (emri i së cilës së prapthi është Avni) dhe Adelinës, e cila gjithashtu nuk është ndarë nga rruga e artit por si pianiste.
Largimi i kompozitorit të shquar nga jeta, preku edhe kolegë të tij, të cilët nuk i kanë kursyer fjalët e mëdha për ‘gjigandin’ e muzikës shqiptare, por ngushëllimeve nuk i munguan as politikët.
Kush ishte Avni Mula?
Një kompozitor i shquar shqiptar. Avni Mula lindi në Gjakovë të Kosovës, më 4 janar të vitit 1928. Për kontributin e tij, Mula ka marrë disa nga medaljet më të larta të vlerësimit nga qeveria shqiptare, dekoratën e Artistit të Popullit të Shqipërisë dhe dekoratën Nderi i Kombit. Studimet e larta muzikore, Avni Mula i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik.
Karrierën artistike, ai e nisi pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Përmendim këtu, realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës.
Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Ai njihet si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.