Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një prononcim për gazetarët tha se procesi për zgjedhjen e presidentit të ri do të shtyhet për javën tjetër.
Balla tha se ky vendim do të krijojë mundësinë që të gjitha grupet parlamentare të marrin kohën e nevojshme për të reflektuar.
“Konferenca e kryetarëve mbahet me 4 maj. Unë do të propozoja që 10 maji të jetë data për raundin e parë të votimit të presidentit. Kjo shtyrje është për të qartësuar procesin. Të gjitha grupet parlamentare duhet të merrnin kohën e nevojshme për të reflektuar. Me rëndësi është që të kemi një president për të unifikuar unitetin e popullit,. Koha është e mjaftueshme që deri javën tjetër të jetë një kohë për të qartësuar mënyrën e negocimit për profilin e presidentit të republikës”, tha Balla.
Raundi i parë i votimit është parashikuar në 10 Maj.
Ndërkohë burimet bëjnë të ditur se raundi i dytë dhe i tretë kur kërkohen 84 vota për të zgjedhur Presidentin janë parashikuar në 16 dhe 20 Maj.
Nëse në tre raundet e para nuk arrihen 3/5 e votave është parashikuar që raundi i katërt ku kërkohen 71 vota është parashikuar të mbahet në 24 Maj.