To top
25 Pri

Shqipëria votoi për parlamentin e ri!

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit në vendin tonë, ku u votua për zgjedhjen e parlamentit të ri. Tashmë qendrat e numërimit të votave janë bërë gati në pritje të kutive për të nisur procesin e numërimit.

VOTIMI

 

 

Të dielën e 25 prillit rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote u thirrën në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit u paraqiten në 5199 Qendra Votimi.

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Qarku Kukës është ai që nxjerr më pak deputetë, vetëm 3. Ndërkohë që nga Tirana, e cila ka dhe numrin më të madh të popullsisë në vend, përftohen 36 mandate ligjvënësish. Në këto zgjedhje parlamentare, garuan 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit votuan për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit u identifikua nga një numër e jo emri i tij. Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë. Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë.

Për herë të parë në Shqipëri po aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi u instalua pajisje elektronike, të cilat kryen identifikimin elektronik të zgjedhësve. Një mjet ky i cili mundësoi shmangien e votimit të dyfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër. Ndërkohë në Zonën Administrative Zgjedhore Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, u zbatua projekti pilot për votim dhe numërim elektronik. Votuesit votuan në pajisjen elektronike si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin preferencial. Zgjedhjet e së dielës kanë tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, ku u angazhuan në vëzhgimin e tyre. Vëmendja ishte kudo, por të ashtuquajtura zona të nxehta tërhoqën më shumë syrin e vëzhguesve ndërkombëtarë, për të cilët standardet e zgjedhjeve mbizotërojnë mbi gjithçka.

Zgjedhjet e 25 Prillit u zhvilluan në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19. E për këtë çdo votues ishte i pajisur me mjetet mbrojtëse gjatë këtij procesi.
As në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk mundën të votonin. Votimin e tyre, politika ia la në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por ky mbeti vetëm një projekt në letër dhe faji për dështimin mbeti rrugëve.

Përfundon numërimi në 6 qendrat e para të votimit në Pustec, kryeson PS, ja sa vota marrin PD e LSI

ORA 23:44 Ka nisur procesi i numërimit të votave në bashkinë e parë në vend, ku është përfunduar numërimi i kutive në tre qendrat e para të votimit.

Gazetarja Lorena Kodra raporton për “BalkanWeb” se në qendrën e parë, përkatësisht në Kallamas, rezultati është: PS me 118 vota, PD me 114 dhe LSI me 13 vota; në qendrën e dytë PS ka siguruar 159 vota, kundrejt PD me 68 vota dhe LSI me 9 vota, ndërsa në qendrën e tretë rezultati është: PS me 245 vota, PD me 109 vota dhe LSI me 61.

Ndërsa në fshatin Goricë e Vogël, përkatësisht qendra e katërt e votimit, PS kryeson me 88 vota, PD me 43 kurse LSI me 8 vota. Numërimi ka përfunduar edhe në qendrën e pestë të votimit, në Diellas, me rezultatin PS 94 vota, PD 47, LSI 22; dhe në qendrën e gjashtë, Gollomboc, me PS 34 vota, PD 40 vota dhe LSI 7 vota.

Mësohet se në Pustec janë 7 qendra votimi, që po numërohen nga tre grupe. Në këtë bashki kanë votuar gjithsej 1606 qytetarë nga 4366 gjithsej.

Nis procesi i numërimit të votave në Memaliaj, Konispol, Devoll e Roskovec

ORA 22:45 Ka nisur procesi i numërimit të votave në Qarkun në Bashkinë e Memaliajt, të Konispolit, Devollit dhe Roskovecit.

“Të tregojmë durim derisa sa fitorja në kutitë e votimit të numërohet”, Veliaj: Exit Poll e projeksionet tona nxjerrin PS fituese me 71-72 mandate

ORA 21:30 Me një falënderim për mbështesit e stafet bashkëpunuese e nisi fjalën e tij, drejtuesi politik i PS për Tiranën, Erion Veliaj. Në një prononcim për mediat nga selia , Veliaj u shpreh entuziast ndërsa tha se Exit Poll e projeksionet e tyre nxjerrin PS fituese.

“Lajmi i parë që morëm është që të gjitha sondazhet në Shqipëri na kanë nxjerrë fitues në Republikë me 71-72 mandate. Lajmi i dytë më i mirë është që projeksionet tona si në Tiranë edhe në të gjithë Shqipërinë janë më shume se 72 mandate, por  si projeksionet e Exit Poll edhe tonat do duhet të presin me shume durim procesin e numërimit. Ndaj do të duhet të falënderoj ata që shërbyen si komisionerë, monitorues, patronazhistë, por në finale duhet të presim procesin e numërimit.

Të tregojmë durim teksa fitorja në kutitë e votimit në Tiranë e gjithë Shqipërinë të numërohen. Vota është një kontratë e shenjtë duhet të lexohet me respektin më të madh. Fakti që sondazhet nxjerrin PS forcë fituese, do t ju kërkoj të respektojmë numërimin deri në fund dhe nesër të kemi mundësi të falenderojmë ata që kontribuan e t’i shtrijmë dorën edhe kundërshtarëve tanë, për të filluar një rrugëtim të ri për Shqipërinë.” tha Veliaj.

“Verdikti i popullit është në kutitë e votimit”, Basha: Fitore për popullin shqiptar, fitore për Aleancën për Ndryshim

ORA 21:07 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë sot për herë të parë në një komunikim për mediat pas mbylljes së procesit të votimit.

Teksa mbështetësit e prisnin me duartrokitje dhe ovacione në kor me thirrjen; “Rama ka mbaruar punë”, Basha tha se fitorja ishte e qartë për popullin shqiptar.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve shqiptarë që zgjodhën ndryshimin. Kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar, Për Aleancën për Ndryshim. Vullneti i popullit është në kutitë e votimit. Kam besim të plotë se numëruesit dhe komisionarët do ta mbyllin me sukses këtë proces. Siç kam edhe në fushatë, në fund të këtij procesi Shqipëria fiton.”, -tha Basha.

Tensione gjatë mbylljes së procesit të votimit në Fushë Arrës, i riu plagos me thikë policin

ORA 20:30 Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Fushë Arrëz, ku një i ri ka plagosur me thikë një punonjës policie.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në QV nr. 0399, është plagosur me mjet preres (thikë), punonjësi i Policisë G. O., i cili po dërgohet për mjekim në spitalin e Pukës.

Nga veprimet e para hetimore është bërë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasi M. Ll., 32 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Pukë dhe po punohet për kapjen e tij.

Në vendngjarje, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë , po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Celibashi thirrje krerëve të partive: Tregoni vetëpërmbajtje, askush s’e di kush ka fituar, çdo deklarim nuk i shërben procesit

ORA 20:29 Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, jep tjetër mesazh për krerët e politikës shqiptare, teksa pritet të nisë procesi i numërimit të votave. Në një mesazh në rrjetet sociale, Celibashi iu kërkon subjekteve politike që ta përcjellin me qetësi procesin e numërimit të votave.

Më tej, kreu i KQZ iu kërkon lidershipëve që të tregojnë vetëpërmbajtje, në mënyrë që komisionerët dhe numëruesit të kenë klimën e duhur për të zhvilluar procesin.

“Ju bën thirrje subjekteve zgjedhore, që procesin në vijim ta përcjellin me qetësi pasi askush nuk e di se kush i ka fituar këto zgjedhje. Duhet të presim që të numërohen fletët e votimit, për të kuptuar se kush është fituesi i zgjedhjeve të datës #25prill2021. Çdo deklarim pa nisur procesi i numërimit të fletëve të votimit nuk do t’i shërbente qetësisë së nevojshme që duhet të shoqërojë procesin e numërimit të votave. Lidershipi politik duhet të tregojë vetëpërmbajtje në mënyrë që komisionerët dhe numëruesit të kenë klimën e duhur për të zhvilluar një proces numërimi të sigurtë dhe transparent”, thekson kreu i KQZ.

Rama: Numëroni me përgjegjësi votat, patronazhistët e dinë kush ka votuar e kush jo!

ORA 20:24 Kryetar i PS, Edi Rama, ka dalë në një deklaratë për media në përfundim të procesit të votimit, ku tashmë pritet të nisë procesi i numërimit. Rama iu bëri thirrje komisionerëve dhe numëruesve që të tregojnë përgjegjshmëri në numërimin e votave.

Ai foli sërish për patronazhistët, duke thënë se ata e dinë se kush ka votuar dhe kush jo, ndërsa sa i takon sondazheve dhe exit-polleve të para, Rama u shpreh se votat janë në kuti.

“Dua t’iu them të gjithëve, në radhë të parë socialistëve, se votat janë në kuti që të gjitha. Populli ka folur, tani duhet të dëgjojmë popullin dhe detyra jonë, e cdo numëruesi dhe cdo vëzhguesi, në cdo qendër numërimi, është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe ligjore të kontribuojë për të numëruar në mënyrë korrekte votat, që janë në kuti. Hamendjet, sondazhet, exit-pollet, pavarësisht faktit që ne na japin forcë qeverisëse, përsëri i përkasin thjesht dhe vetëm parashikimeve para ndeshjes. Tani është rezultati i të gjitha kutive të votimit, që është rezultati i ndeshjes. Kështu që ju lutem shumë të gjithëve përqendrohuni në detyrën tuaj dhe, dua ta përsëris atë që tha Bora edhe në emrin tim, një falënderim nga zemra për të gjithë patronazhistët tanë, në të gjithë territorin, që kanë bërë një punë mbresëlënëse. Ata janë që e dinë më mirë se gjithë tjerët kush ka votuar dhe kush s’ka votuar. Duke qenë se në zonat e tyre ata janë të bindur për rezultatin e punës, unë dua të siguroj që të bindur janë edhe gjithë të tjerët në të gjitha zonat”, tha Rama.

Nis transportimi i kutive të votimit në qendrat e numërimit, pritet të nisë numërimi i votave, sfidë rezultati për 48 orë

ORA 19:45 Menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit, në të gjitha qarqet e vendit ka nisur transportimi i kutive të votimit në qendrat e numërimit. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, deklaroi në mbyllje të procesit të votimit, se sapo të transportohen kutitë e votimit nëpër qendrat e numërimit, do të nisë procesi i numërimit të votave.

Siç thekson KQZ, rezultati i partive apo koalicioneve mund të dalë brenda 48 orëve, për të vijuar më tej me rezultatin për kandidatët për deputetë.

Mbyllet procesi i votimit/ Kryemadhi: Fitorja është e jona! Mos lëshoni asnjë milimetër, ta çojmë deri në fund procesin pa provokime

ORA 19:16 Pas mbylljes zyrtarisht të procesit të votimit në vendin tonë, vjen një mesazh nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Kryemadhi tha se fitorja ishte e tyre.

Mes të tjerash ajo bëri thirrje që mos të lëshohet asnjë milimetër dhe të çohet procesi deri në fund.MESAZHI I KRYMADHIT
Urime! Fitorja është e jona! Tani mos lëshoni asnjë milimetër, ta çojmë deri në fund procesin pa provokime duke numëruar edhe votën e fundit.

“Do të nisë menjëherë numërimi”, Celibashi: Rezultati për partitë brenda 48 orëve, lidershipët duhet të kuptojnë se tani ka nevojë për qetësi

ORA 19:20 Në përfundim të orarit zyrtar të procesit të votimit, kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, iu kërkoi të gjithë krerëve të partive politike që të ruajnë qetësinë, gjatë numërimit të votave.

Celibashi tha se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet që rezultati për partitë dhe koalicione të dalë brenda 48 orëve. Kreu i KQZ theksoi se do të nisë menjëherë numërimi i votave, sapo të përmbyllet totalisht procesi i votimit dhe të transportohen kutitë në vendet e numërimit.

“Nga informacionet që ka KQZ, rezulton se ky proces zgjedhor u karakterizua nga qetësia dhe siguria. Natyrisht që nuk mund të shpëtonim nga disa episode, por në përgjithësi mund të thuhet që ishte një proces zgjedhor, ose proces votimi, në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Dua të jem i sinqertë e të pranoj se ka qenë një tension i madh në KQZ, në lidhje me ecurinë e procesit të identifikimit elektronik, për faktin se ishte një proces shumë i vështirë nga shumë pikëpamje, që do duhej dhe u realizua në një kohë të shkurtër.

Dua të them se janë më pak se 200 qendra votimi, rreth 167, në të cilat nuk është përdorur pajisja e identifikimit elektronik. Në 86 prej tyre nuk u përdor për faktin se nuk u paraqitën operatorët dhe në pjesën tjetër për shkak të pamundësisë së operatorëve për të përdorur pajisjen. Mendoj që ky projekt mund të konsiderohet me sukses të plotë dhe padiskutim që meritën kryesore e ka nënkomisionerja Pelinku, të cilën gjej rastin ta përshëndes.

45.40 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 18:00, në rang vendi

Ora 18:40 Deri në orën 18:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 45.40% në rang vendi. Janë 1920 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 51.42 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

Mesazhi i ambasadores së SHBA për partitë: Kandidatët të bëjnë detyrën, të pranojnë me durim gjykimin e popullit

ORA 18:34 Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka dhënë një tjetër mesazh për këtë ditë të shënuar për Shqipërinë, ku votohet për të zgjedhur parlamentin e ri.Gjatë fjalës së saj, Kim tha se autoriteteve iu duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të numëruar me saktësi votat. Ndërkohë që sipas saj, kandidatët dhe drejtuesit e tyre duhet të presin rezultatin.

“Ky është momenti dhe detyra juaj. Shpresoj që të gjithë do të votojnë e të gjithë autoritetet do të përmbushin përgjegjësit e tyre për të numëruar votat me saktësi. Kandidatët dhe drejtuesit e tjerë do të mundet të bëjnë detyrën e tyre duke pritur me durim, duke pranuar gjykimin e popullit. Qytetarët më kanë thënë se kanë votuar dhe se ndiheshin të sigurt.”, tha ambasadorja nga Elbasani.

PS thirrje qytetarëve nga selia rozë: Votoni, kjo është dita kur politika hesht dhe populli flet!

ORA 17:55  Përmes zëdhënëses, PS ka apeluar qytetarët të marrin pjesë në votime.
“Kush nuk ka votuar ende, le të përfshihet në proces, të shkojë e të votojë. Ushtroni të drejtën tuaj themelore, në këtë ditë kur politika hesht dhe populli flet.

Ndiqni shembullin e atyre, që deri tani e bënë detyrën e tyre. Mos harroni se sa më shumë të merrni pjesë në zgjedhje, aq më shumë politika i merr parasysh hallet tuaja. Votoni”, tha zëdhënësja e PS.

41.24 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 16:00, në rang vendi

Ora 17:00 Deri në orën 16:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 41.24% në rang vendi. Janë 1967 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 47.8 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

PD tjetër thirrje shqiptarëve: Mos e humbni këtë mundësi. Mos u dorëzoni. Shkoni dhe votoni tani

ORA 16:35 Përmes zëdhënëses Floriana Garo, PD ka apeluar sërish qytetarët të marrin pjesë në votime.
“Mos e humbni këtë mundësi. Mos u dorëzoni. Shkoni dhe votoni tani, mos prisni për momentin e fundit. Shkoni dhe votoni tani, mos prisni per momentin e fundit.

Ky eshte momenti juaj. Ky eshte momenti yne. Mos e humbasim kete moment. Dilni, dhe votoni!” apeloi Garo.

Incident në një qendër votimi në Maliq, burrë e grua dhunohen me karrige nga një vëzhgues i PD

ORA 16:00 Një tjetër incident është shënuar sot në një qendër votimi. Bëhet fjalë për një rast në fshatin Vashmi, në Maliq.

Gazetarja Lorena Kodra raporti në një lidhje live për ‘News24’ se burrë e grua janë goditur me karrige. Një vëzhgues i PD-së ka goditur ciftin, simpatizantë të PS.

Ngjarja ka ndodhur në korridorin e qendrës së votimit. Çifti ka pësuar disa lëndime në trup. Në bashkinë e Maliqit pjesëmarrja e votuesve ka qenë e lartë, rreth 31.7%.

40.86 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00 në rang vendi

Ora 16:30 Deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 40.86% në rang vendi. Janë 1642 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Vlora është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 47.55 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.