To top
28 Sht

Rrëfimi i bankierit amerikan për Linda Ramën: Ajo e ka kryer detyrën e saj…

Bankieri shqiptaro-amerikani, Richard Lukaj, njeriu i momentit në mediat shqiptare pas darkës në të cilën u fotografua me Kryeministrin Rama në Nju Jork, dha sot një intervistë të detajuar për “Gazetën Dita”.

Një prej detajeve më të rëndësishme të kësaj interviste, ishte përshkrimi që i bën ai Zonjës së Parë, Linda Rama, të cilën e ka njohur profesionalisht gjatë disa konsulencave që ka bërë për sistemin bankar në Shqipëri.

“Në takimin e parë me të u impresionova me kontributin e saj në diskutimet e bordit. Atëherë nuk e kisha idenë që ajo ishte gruaja e Kryeministrit. Ishte më vonë, kur shtypi po e sulmonte për arsye të panjohura për mua, që kuptova lidhjen e saj familjare”, u rrëfye bankieri.

“Deklaroj me plot bindje, se zonja Rama ka kryer detyrën e saj në bazë të aftësive më të mira që disponon”, shtoi në këtë intervistë Lukaj.

Lukaj, i lindur në SHBA nga një familje prindërish shqiptarë, është sot drejtor i “Street Group Bank”, një prej grupeve më të mëdha bankare në SHBA. Gjithashtu, ai është këshilltar i bordit kombëtar të “Qendrës Truman”.

Lukaj darkoi me Ramën gjatë vizitës së këtij të fundit në OKB. Në intervistë, bankieri shpjegoi se kjo darkë ishte përcaktuar që gjatë vizitës së tij të mëparshme në Shqipëri, ndërsa shpjegoi se gjatë karrierës së tij, ka pasur fatin të takohet me të gjithë kryeministrat shqiptarë me të cilët është ndeshur.