Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora është në Tiranë! Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin Skënderbej, në një koncert falas për të gjithë qytetarët, por takimin e parë në Tiranë e ka rezervuar për studentët e Liceut Artistik.
Rita Ora ndau me të rinjtë detaje për koncertin e 6 shtatorit, por ndërkaq u shpreh e surprizuar me ndryshimet që ka pësuar qyteti i Tiranës.
“Ky qytet është rritur shumë! Ju çuna dhe goca jeni me shumë fat për këtë kryebashkiak. Është shumë “cool” dhe i përditësuar me kulturën, rininë, vlerat. E shoh çdo vit rritjen e qytetit dhe jam e surprizuar”, tha Rita Ora.
Mandej, ajo zhvilloi një bisedë, në formë pyetje-përgjigje, me të rinjtë e pranishëm në sallën e Liceut Artistik, me të cilët ndau eksperiencën e saj si këngëtare, se çfarë do të thotë të ndjekësh ëndrrën tënde dhe se sa punë e mund duhet për ta realizuar atë.
“Kur ju rriteni do të takoni njerëz që do t’ju frymëzojnë të bëni diçka, të tjerë do t’ju thonë se nuk do t’ia dilni dot dhe kjo mund t’ju bëjë të humbni besimin. Por, duhet të fokusoheni te vetja juaj dhe të mos i dëgjoni çfarë thonë të tjerët. Duhet t’i provoni atyre se janë ata që e kanë gabim. Kjo më ka bërë mua të eci përpara”, tha ajo.
Ndërkaq, Veliaj shprehu mirënjohjen që Rita Ora pranoi të mbante një koncert falas në Tiranë, me rastin e Kryeqytetit Evropian të Rinisë. Por, nga ana tjetër, në një bashkëbisedim me Vera Orën, nënën e këngëtares shqiptare, Veliaj preku edhe ngjarjen e fundit në Prishtinë, atë të dhunimit të vajzës 11-vjeçare.
“Në Prishtinë ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, e cila ka të bëjë me marrëdhëniet që ne kemi në shoqëri, me mënyrën si dhe sa i respektojmë vajzat dhe gratë. Për mua, Vera ka qenë një hero, sepse ka këmbëngulur për emancipimin e shoqërisë sonë, se duhet të mësojmë disa parime shume të rëndësishme për respektin ndaj njëri-tjetrit, se burrat dhe gratë janë njësoj, vajzat dhe djemtë janë njësoj, sepse çdo gjë që mund ta bëjë një djalë, mund ta bëjë edhe një vajzë, çdo sukses që mund ta ketë një djalë, mund ta ketë edhe një vajzë. Këto mesazhe që japin njerëz si Vera, bëhen që në shoqërinë tonë të mos ndodhin krime apo ngjarje të tilla”, tha Veliaj.
Kurse Vera Ora tha se ngjarja e javës së kaluar ishte tepër e rëndë dhe apeloi për më shumë respekt për njëri-tjetrin si shoqëri. “Respektoni njëri-tjetrin; është shumë e rëndësishme ta dini vlerën tuaj. Meshkujt duhet të tregojnë më shumë respekt ndaj vajzave. Ndaj dua t’ju lë një mesazh: ‘Bisedojini me prindërit apo me njëri-tjetrin çdo problem që keni dhe kërkoni ndihmë nëse keni nevojë’”, tha ajo.
Përpara koncertit të mbrëmjes së 6 shtatorit, Rita Ora do të marrë pjesë në disa aktivitete me natyrë sociale.