Mbrëmja e së shtunës në Big Brother VIP 4 ndezi rrjetin me një histori të vjetër, por që u rikthye si një lajm i freskët: përplasja mes Rozana Radit dhe Rezarta Shkurtës. Menjëherë pas përmendjes së këtij konflikti në spektakël, videot dhe komentet filluan të qarkullojnë kudo.

Dhe si për të vënë pikat mbi “i”, Rezarta vendosi të reagojë përmes një postimi në Instastory, duke hedhur dritë mbi atë që sipas saj ka ndodhur realisht.

Dhe çfarë mësojmë nga ky rrëfim? Se konflikti në fjalë, ai që u përfol me aq zjarr, paska qenë një debat banal mbi… pastat! Po, po, pastat me salcë apo me domate të freskëta. Një çështje që ndoshta ka ndarë botën e gastronomisë, por nuk pritej të bëhej çështje e madhe edhe në botën e showbiz-it shqiptar.

Sipas Rezartës, debati i vitit 2008 në “VIP SHPIA” nuk ishte gjë tjetër veçse një shkëmbim i nxehtë opinionesh mbi këtë temë krejt të padëmshme, por ndërkohë, publikisht, është interpretuar si një përplasje e madhe personale.

Sa për një tjetër konflikt mee tyre, i ndodhur rreth vitit 2012, ajo konfirmon se ka qenë një çështje profesionale, dhe jo e lidhur me ndonjë “dashurickë” apo çështje personale, siç është përfolur në portale.

Rezarta shprehet se, pas kaq shumë vitesh, këto konflikte të së shkuarës janë të harruara, si për të, ashtu edhe për Rozanën. Ajo pranon se nuk kanë qenë mikesha, por as armike. Madje, në këtë sezon të Big Brother, ka parë tek Rozana një person më të rritur dhe të ndryshuar për mirë.

Reagimi i plotë

Më keni shkruar kaq shumë dje…

E vërteta, me pak fjalë: Unë dhe Rozana, rreth vitit 2008, kemi qenë në një show së bashku. Në atë program, kemi pasur një konflikt shumë të vogël, për të qenë të sinqertë, ishte një debat pa asnjë rëndësi, sidomos krahasuar me ato që shihni sot në Big Brother. Tema e “konfliktit”? Thjesht: t’i bëjmë pastat me salcë apo me domate të freskëta?!

Ishte dita e 10-të e show-t… fjalë vajzash të reja, pa asnjë pasojë serioze. Pra, video dhune që përmendet nuk është e vërtetë, sepse diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë.

Rreth katër vite më vonë, afërsisht në 2012-ën, kam pasur një tjetër konflikt me Rozanën, edhe këtë herë për arsye profesionale, jo për “dashuriçka”, siç është përfolur nëpër portale.

Po, kemi qenë të reja, dhe si atëherë, edhe sot, shumë gjëra bëhen për të krijuar zhurmën që, fatkeqësisht, është gjithmonë e nevojshme në botën e showbizit.

E vërteta është që, pas kaq shumë vitesh, ato konflikte pa asnjë temë serioze, besoj se janë të harruara si për mua, ashtu edhe për Rozanën.

Rozana nuk ka qenë asnjëherë mike e imja, por, në të njëjtën kohë, asnjëherë armike.

Përkundrazi, në këtë Big Brother kam parë tek ajo një vajzë më të rritur dhe të ndryshuar për mirë. Le të kujtojmë se jeta reale ka më shumë vlerë se dramat televizive.