Policia spanjolle qëlloi me plumba gome drejt një grupimi të madh njerëzish jashtë një zone votimi në Barcelonë. Autoritetet po përpiqen të ndalojnë referendumin për pavarësinë e Katalonjës.
Raportohet se plumbat prej gome janë shkëmbyer në një kryqëzim rrugësh.
Policë me mburoje u përplasën me qindra votues jashtë një vendi votimi tek një shkollë në Barcelonë, teksa turma e njerëzve bërtiste: “Ne jemi njerëz paqësorë!”.
Furgonë policie të blinduar dhe ambulanca janë parkuar gjithandej në zonat e votimit. Kulmi arriti kur disa zjarrfikës u përpoqën të ndalonin policët që të hiqnin kutitë e votimit.
Sipas autoriteteve katalanase, 38 persona kanë mbetur të plagosur si rezultat i veprimeve të policisë.
Vetëm pak pas orës 9 të mëngjesit, kur pritej të hapej votimi, turma e votuesve kishte filluar të përplasej me policinë, raporton Huffington Post. Oficerët thyen xhamat e dyerve të shkollës ku do të votohej, ndërsa turma këndonte himnin katalanas me duar në ajër.
Organizuesit e votimit futën fshehurazi kuti votimi në disa pika pak përpara agimit në qese të zeza plastike. Më vonë, votuesit bllokuan disa dyer pasi prisnin që policia të futej për të bllokuar votimin. Sipas raportimeve, në një shkollë në Barcelonë, organizuesit i kërkuan njerëzve që të bëjnë rezistencë pasive në qoftë se policia ndërhyn.
Një 65-vjeçare në pension deklaroi para kamerave se është çuar që para orës 5 të mëngjesit sepse kështu është situata me vendin e saj.
“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë por ne duhet të jemi këtu” – tha ajo, teksa ishte vënë në rradhë bashkë me 100 veta të tjera në një zonë votimi në një shkollë në Barcelonë, teksa binte shi.
Më parë, policia spanjolle arrestoi disa zyrtarë të lartë katalanas, konfiskoi fletëpalosjet e fushatës, mbylli shumë nga 2,300 shkollat e emëruara si vendvotime dhe pushtoi qendrën e komunikimit të qeverisë katalanase.
Familjet kanë zënë dhjetëra shkolla të rezervuara si qendra votimi, duke fjetur aty gjatë natës në përpjekje për të parandaluar policinë që t’i mbyllë.
Presidenti katalanas, Puigdemont fillimisht tha se nëse katalanasit votojnë “Po” në referendum, pavarësia do të shpallet brenda 48 orëve.
Votimi nuk do të njihet ligjërisht pasi është bllokuar nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës dhe Madridi ka fuqinë përfundimtare të pezullojë autoritetin e qeverisë rajonale për të drejtuar Katalonjën, nëse shpall pavarësinë.
Po pse kjo përpjekje e qeverisë së Madridit për të ndaluar shkëputjen e rajonit të Katalonjës nga Spanja? Për t’i dhënë përgjigje kësaj, Lapsi.al i bëri një përmbledhje të shkurtër disa të dhënave për rajonin e Katalonjës.
Rreth 16% e popullsisë së Spanjës jetojnë në Katalonja. 25.6% e eksporteve të vendit vijnë nga ky rajon. 19% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) e Spanjës prodhohet nga Katalonja dhe 20.7% e investimeve të huaja në Spanjë thithet nga Katalonja.