Kryeministri Edi Rama tha se vizita e tij e parë zyrtare në Kiev si kryetar i radhës i OSBE-së tregon rëndësinë që i kujton përpjekjeve për të zgjidhur krizën në Ukrainë.
Nga Kievi, Rama tha se kjo mbetet sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot duke premtuar se do të bëjë maksimumin për të siguruar respektimin e parimeve dhe të angazhimeve të OSBE-së.
“Së pari në emër të delegacionit do doja të shprehja mirënjohjen time për pritjen mjaft të ngrohtë dhe gjithashtu dua tju falënderoj për diskutimet e sinqerta dhe mjaft produktive. Pres me padurim që të takohem me kryeministrin dhe po kështu me presidentin dhe autoritete të tjera të larta gjatë ditës. Nuk është rastësi që Ukraina është vizita ime e parë zyrtare si kryetar i radhës së OSBE-së dhe siç ia thashë më parë ministrit ajo reflekton rëndësinë e madhe që u kushtoj përpjekjeve për të zgjidhur krizën në Ukrainë dhe rreth saj.
Në këndvështrimin tim kjo mbetet sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot. Do bëj maksimumin për të siguruar respektimin e parimeve dhe të angazhimeve të OSBE-së dhe sigurisht do të inkurajojmë fort zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut duke mbështetur përpjekjet e grupit tre palësh të kontaktit dhe procesit të formatit të Normandisë”, deklaroi Rama.
Por ndërkohë që marrëveshjet, kontaktet, formatet po diskutohen dhe duke qenë se shumë kohë do kërkohet ende, sipas tij, ajo çfarë mbetet thelbësore çdo ditë është jeta e njerëzve dhe vështirësitë që të gjithë ata përballin duke jetuar në zonat e prekura nga konflikti.
“Aty është ku ne do të punojmë pareshtur për të bërë gjithçka të mundur pasi garantimi i ndalimit të të shtënave dhe një armëpushim i qëndrueshëm është absolutisht jetik për jetën e njerëzve atje. Ky konflikt vazhdon të sjellë viktima civile dhe kjo është e papranueshme dhe kjo duhet të ndalet. Synimi ynë pikë së pari është të sigurojmë një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm. Rifillimi i dialogut të nivelit të lartë dhe rezultatet e samitit të Normandisë janë hapa në drejtimin e duhur. Megjithatë mbetet shumë për t’u bërë. Rruga para nesh e gjatë drejt një paqeje të qëndrueshëm. Jam këtu për t’u thënë se përfaqësuesi im i posaçëm në Ukrainë do të eksplorojë me pjesëmarrësit mënyrën se si të ecë sa më mirë ky proces.
Më lini tju siguroj për vendosmërinë dhe përkushtimin tim dhe gjithë ekipit të OSBE për të ndihmuar që të sjellim një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe të përmirësojmë jetën e atyre njerëzve të prekur nga ky konflikt”, theksoi Rama.