Që sot, administrata e Trump do të implementojë rregullat e reja që kufizojnë udhëtimin e grave shtatzëna drejt Shteteve të Bashkuara me synimin për të lindur në territor amerikan.
Përfaqësues te konsullatave amerikane nëpër botë do të kenë më shumë fuqi gjatë procesit të rishikimit dhe dhënies së vizave. Nëse mendojnë se një grua shtatzënë po udhëton drejt Shteteve të Bashkuara për të lindur atje, kanë të drejtë t’i mohojnë hyrjen. Sidoqoftë, përfaqësuesit nuk kanë të drejtë të pyesin një grua nëse është shtatzënë apo jo.
Ky ndryshim kërkon të pakësojë turizmin e lindjes, falë të cilit fëmijët e lindur në territor amerikan marrin menjëherë shtetësi amerikane.
“Duke i dhënë fund kësaj praktike të pandershme, do t’i japim fund edhe abuzimeve endemike dhe rrjedhimisht do të mbrojmë Shtetet e Bashkuara nga rreziqet që ka krijuar,” tha Sekretarja për Shtypin e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham.
Kur u pyet nga gazetarët ç’rreziqe sjellin fëmijët e lindur në Amerikë nga gra të huaja, sekretarja nuk pati një përgjigje.
Përshtatur nga CNN