Ralf Gjoni ka firmosur dhe ka depozituar zyrtarisht në Kuvend, projektligjin e Nismës Thurrje me firmat e 50 mijë qytetarëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Në një status në Facebook, ai bën me dije se tashmë ky propozim për ndryshimin e sistemit në proporcional kombëtar me lista të hapura do të shqyrtohet nga Kuvendi dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore.
STATUSI I RALF GJONIT
Sot, në cilësinë e Deputetit, kam firmosur dhe depozituar zyrtarisht pranë Kuvendit të Shqipërisë projektligjin dhe relacionin shoqërues hartuar nga Nisma Thurje i cili mbështetet nga më shumë se 50,000 qytetarë shqiptarë për ndryshimin e sistemit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë në proporcional kombëtar me lista të hapura.
Ky akt, e shndërron këtë propozim automatikisht në një nismë ligjore e cila tani do të duhet të shqyrtohet nga Parlamenti dhe Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Përgjatë gjithë angazhimit tim politik kam besuar se deputeti duhet të përfaqësojë qytetarët dhe sot me rezulton se shumica e qytetarëve shqiptarë kërkojnë të votojnë deputetin që duan të shohin në parlament. Ka ardhur koha që monopoli i bajraktarëve ndaj listave zgjedhore të marrë fund. Ka ardhur koha që parlamenti t’i kthehet qytetarëve. Ndaj dhe beteja jonë gjatë gjithë vitit të kaluar në Kuvend ka qenë vetëm në funksion të kësaj kauze madhore kombëtare. Ky ndryshim ligjor e realizon këtë aspiratë!