Presidenti i Republikës, Ilir Meta është thirrur për të dëshmuar në Komisionin Hetimor në datën 9 shtator në orën 10:00
Data dhe ora është vendosur nga Komisioni Hetimor në dakordësi edhe me Presidencën, ndërsa konfirmimin e ka bërë vetë kreu i shtetit, më herët në një status në Facebook.
Presidenti Meta: Të dashur miqtë e mi gazetarë, Më “çmendët” me sms tuaja, si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?! Së pari, Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për të vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik. Së dyti, unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti.
Presidenti, Ilir Meta, duket se do të jetë zyrtari më i lartë i shtetit shqiptar që paraqitet në një komision hetimor.
Komisioni Hetimor miratoi një ditë më parë planin për hetimin e presidentit Ilir Meta. Hetimi për kreun e shtetit nëse ka shkelur kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, do të zgjasë deri më 8 tetor të vitit 2019.
Mazhoranca rrëzon Metën për KLSH-në
Ndërkohë një ditë pasi rrëzoi pesë dekretet e Kreut të Shtetit për kthimin e ligjeve, mazhoranca rrëzoi për herë të tretë kandidaturën e propozuar nga presidenti Ilir Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Emri i Petraq Milos pati të njëjtin fat si propopzimet e mëparshme të Kreut të Shtetit për emërimin e Vitore Tushës dhe Bahri Shaqirit.
Argumentat për rrëzimin e kandidaturës së Petraq Milos ishin politike.
Evis Kushi: Edhe pse zoti Milo nuk ka deklaruar që të ketë angazhime politike, aktualisht ai rezulton të jetë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD që nga viti 2018.
Por këto pretendime të mazhorancës u kundërshtuan nga vetë kandidati Petraq Milo si dhe juristi i Presidencës.
Petraq Milo: Thotë gjatë ushtrimit, në momentin që zgjidhesh atëherë heq dorë nga të gjitha funksionet, të cilën e kam bërë me deklaratë.
Propozimi i Metës pritet të kalojë për votim edhe në parlament, ndërsa konflikti mes mazhorancës dhe Kreut të Shtetit ka bërë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të drejtohet nga Bujar Leskaj, të cilit i ka mbaruar mandati në 23 dhjetor të 2018.