Parlamenti britanik voton sot marrëveshjen për daljen nga Bashkimi Evropian. Kryeministri britanik, Boris Johnson kërkon të veprohet me shpejtësi.
Ai do të miratojë për këtë qëllim, një ligj të posaçëm ratifikimi. Deri në 9 janar qeveria britanike do të donte të kalonte plotësisht kuadri ligjor për Brexit-in. Ndërsa po sot do të tentohet të miratohet edhe një ligj që përjashton mundësinë e zgjatjes së periudhës tranzitore të parashikuar për deri në fund të vitit 2020. Kryeministri Johnson, tani e ka të sigurt maxhorancën parlamentare. Partia konservatore arriti në zgjedhjet e 12 dhjetorit një fitore të thellë, që i siguroi 80 vende më shumë në parlament krahasuar me partitë e tjera.
“Sot do ta bëjmë realitet premtimin që u dhamë njerëzve, të finalizojmë Brexit-in para krishtlindjeve. Pas vitesh shtyrje dhe zemërim në parlament, ne do të krijojmë siguri dhe njerëzve që punojnë fort në këtë vend do t’u ofrojmë një bazë të fortë, mbi të cilën ata të planifikojnë të ardhmen e tyre”, u shpreh Johnson.
Johnson do ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja më 31 janar. Në fazën tranzitore, në 2020 thuajse gjithçka do të mbetet si më parë. Por gjatë kësaj kohe, të dyja palët duhet të negociojnë një marrëveshje të tregtisë së lirë. Ekspertët mendojnë se koha është shumë e shkurtër, pavarësisht se Johnson për momentin po përpiqet të shpejtojë ritmet.
Të enjten nisi punën parlamenti i ri që i ofron atij jo pak komfort, por një rrezik vjen nga veriu. Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon, i ka kërkuar atij me shkrim miratimin e një referendumi të dytë pavarësie.