To top
31 Mar

Paris/ Le Pen dënohet me 4 vite arrest shtëpie dhe 100 mijë euro gjobë!

Një gjykatë në Paris ka dënuar lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, për keqpërdorim të fondeve të BE-së, duke e ndaluar gjithashtu të mbajë poste publike për pesë vitet e ardhshme.

Le Pen u shpall fajtore për përvetësimin e 474,000 eurove përmes punësimit fiktiv të katër asistentëve gjatë kohës që shërbente si eurodeputete (2004-2017). Si rezultat, ajo u dënua me katër vite burg, dy prej të cilave të pezulluara, ndërsa dy vitet e tjera do t’i vuajë në arrest shtëpie me një kyç elektronik. Përveç kësaj, gjykata e gjobiti me 100,000 euro.

Vendimi përfshiu gjithashtu 23 anëtarë të tjerë të partisë së saj, Rassemblement National, duke përfshirë deputetë dhe punonjës, ndërsa partia u gjobit me 2 milionë euro dhe u urdhërua të paguajë 4.4 milionë euro dëmshpërblim Parlamentit Europian.

Sipas gjykatës, Le Pen ishte në qendër të një “sistemi” përvetësimi që ndihmoi financiarisht partinë e saj mes viteve 2004 dhe 2016, duke minuar parimet demokratike dhe besimin e votuesve francezë. Megjithëse asnjë nga të akuzuarit nuk kishte përfituar personalisht nga fondet, ato ishin përdorur për të lehtësuar shpenzimet e partisë.

Pavarësisht mundësisë së apelimit, ndalimi i saj për të mbajtur poste publike hyn në fuqi menjëherë. Le Pen u largua nga salla e gjyqit përpara se vendimi të shpallej zyrtarisht.