Shumë prej nesh janë ndjerë të shqetësuar në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe sigurisht që gjithë situata ndikon në shëndetin tonë mendor. Gjendja është më e përkeqësuar te të infektuarit, megjithatë nuk duhet me patjetër që të jeni ekspert i shëndetit mendor për të ndihmuar dikë me Covid-19 ose këdo që ndihet i shqetësuar dhe në ankth për pandeminë.
Për të dhënë ndihmën tuaj, ndiqni katër këshilla bazë:
1. Kontrolloni: Nëse dikush nuk është në gjendje t’ju takojë ballë për ballë (për shkak të sëmundjes), telefonojini, merrni në video-telefonatë ose filloni biseda në grup. Bëjani të ditur që jeni të gatshëm të flisni dhe t’i dëgjoni.
2. Dëgjoni dhe reflektoni: Nëse dikush flet me ju për shqetësime të ndryshme në këtë situatë pandemie, mbani mend se nuk keni nevojë të bëni ndonjë gjë të jashtëzakonshme ose të ofroni këshilla. Shpesh vetëm të dëgjuarit vlen. Tregoni se e merrni seriozisht shqetësimin e tyre dhe ndihmojini që ta menaxhojnë.
3. Bëni pyetje: Pyetini vazhdimisht nëse vini re se nuk po ju tregojnë gjithë çfarë po përjetojnë. Të pyeturit, me interes, mund ta bëjë dikë që të tregojë shqetësimet.
4. Shmangni alarmin: Përpiquni që të mos diskutoni ngjarje tronditëse, si vdekjet, pasi shkaktojnë ankth te të infektuarit me Covid-19.
Si të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor
Kufizoni lajmet dhe kini kujdes se çfarë lexoni
Leximi i shumë lajmeve për koronavirusin ka ndikuar që njerëzit të kenë atak paniku. Te qëndruarit larg faqeve të internetit – burimet e të cilave nuk janë të sigurta – ndikon pozitivisht te shëndeti mendor. Sigurisht që informimi është i rëndësishëm, por tregohuni selektivë në lidhje me çfarë dhe ku do të lexoni.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kufizimi i kohës së shpenzuar në rrjete sociale. Nëse nuk ndiheni mirë, shmangini këto platforma.
Lani duart – por mos e teproni
Për njerëzit që vuajnë na OCD ose lloje ankthit, të dëgjuarit e “lani duart” mund të jetë e vështirë.
Lily Bailey, autore e një libri për OCD, thotë se “larja e duarve mund të jetë një nxitje për njerëzit që prej kohësh përpiqen të mbajnë nën kontroll OCD”.
Qëndroni në kontakt me njerëzit
Tani është koha përfekte për të qenë në kontakt (virtualisht) me njerëzit. Sigurohuni t’i kontaktoni dhe të flisni. Të gjithë po përjetojmë të njëjtën gjë, ndaj situata është deri-diku lehtësisht e menaxhueshme. Përpiquni të jenë produktivë. Lexoni. Gatuani. Kërceni. Bëni çfarë ju sjell në humor.
Kemi nevojë për diell
Sigurohuni që t’i ndjeni rrezet e diellit t’ju bien në fytyrë (Kujdes: Vendosni SPF). Truri ka nevojë për diell, ndaj dilni në dritare/ballkon dhe shijoni një lëng portokalli. Bëni stërvitje. Hani mirë dhe qëndroni të hidratuar.
Specialistët e shëndetit mendor sugjerojnë:
1. Pranoni pasigurinë që po përjetoni dhe mos mendoni gjatë.
2. Mos reagoni. Thjesht pushoni dhe merrni frymë.
3. Mos besoni gjithçka që mendoni. Mendimet nuk janë fakte. Bindeni veten që mundeni.
4. Mos u përpiqni më shumë seç duhet të bllokoni mendimet. Lërini të rrjedhin. Nuk është e domosdoshme t’u jepni përgjigje. Gjithçka do të kalojë.
5. Përqëndrohuni tek e tashmja. Vini re frymëmarjen, ndjesitë. Shikoni gjërat që mund t’i prekni, mund t’i dëgjoni ose nuhatni. Tani për tani, përqëndrohuni te këto gjëra. Mos e shkëpusni mendimin diku gjetkë.