Ish drejtuesi i Krimeve të Rënda Olsian Çela i njohur edhe si prokurori i laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryeprokuror. Çela ka aplikuar në KLP ndërsa pritet që pas tij të ketë edhe aplikime të tjera mes tyre dhe ajo e kryeprokurores aktuale Arta Marku.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, njoftoi , se ka kandidatin e parë zyrtar për Prokuror të Përgjithshëm.
Afati i fundit i aplikimeve për kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm është data 30 Prill dhe ndërkohë pritet dhe aplikimi i Prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku. Pas kësaj procedure, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh 3 kandidatë për kryeprokuror dhe më pas listën ia kalon Parlamentit për votim.
Rregullorja parashikon 4 kritere kryesore për vlerësimin e kandidatëve për Prokurorit të Përgjithshëm: Kriteri profesional, kriteri moral dhe të integritetit, vlerësimi organizativ dhe drejtues dhe elemente shtesë për vlerësim (përvojë në jetën akademike, tituj shkencorë) dhe përgjegjësia për të zgjedhur Prokurorin e ri i i takon parlamentit.
Me ndryshimet kushtetuese prokurori i përgjithshëm ka një mandat 7 vjecarë ndërsa në rast të mos zgjedhjes nga parlamenti me shumicë të cilësuar ai emërohet nga KLP duke caktuar në këtë post të parin e tre të përzgjedhur si me aftësitë më të mira etiko-profesionale.
Një tjetër kusht që duhet të plotësojë kandidati në garë për kryeprokuror është edhe vettingu të cilin deri në këtë fazë prokurori Olsian Çela nuk e ka kaluar.
Përgjatë viteve 2008- 2012, Çela ka drejtuar Prokurorinë për Krime të Rënda ndërsa aktualisht vijon të jetë pjesë e saj.