Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi ekipin e ri me të cilin do të punojë kryeprokurori i ri Olsian Çela.
Kështu, Pranvera Pustina do të jetë shefja e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela. Pustina komandohet ndihmës magjistrate në Prokurorinë e Përgjithshme.
Olsi Dado është emri tjetër i miratuar nga KLP, i cili ka marrë rolin e shefit të marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, si edhe do të mbajë postin e drejtuesit të dekriminalizimit në vend të Arben Krajës, që u zgjodh drejtues i SPAK-ut.
Arenc Çela është komanduar ndihmës magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme por nuk dihet ende posti që do të mbajë.
Sot KLP ka pranuar edhe dorëheqjen e kancelares së Prokurorisë së Apelit në Durrës, Rudina Shermadhi.
Gjithashtu Komisioni i Vlerësimit te Veprimetarisë Etike dhe Profesionale në KLP paraqiti projekt-aktet për miratimin e relacioneve për verifikimin e pasurisë, figurës dhe integritetit si dhe kushteve të tjera ligjore të kandidatëve për t’u emëruar magjistrat Prokuror, pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2018-2019 për 10 magjistratët e rinj, për secilin prej tyre kandidateve.
- Adnan Hoxha
- Alba Dhima
- Aurora Hajro
- Ermira Manelli
- Florian Boriçi
- Gjergji Ceka
- Ledion Tema
- Gëzim Spahiu
- Pierind Çukaj
- Xhoana Mehmetaj