Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin për gjyqtaren e Gjykatës së Apelit në Tiranë, Zegjine Sollaku.
KPK ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Sollaku, ndërsa kjo e fundit nuk ishte e pranishme në seancë. Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan pasaktësi në deklarime dhe mungesa burimesh financiare në vlerën totale 7 milionë lekë. Sipas raportit të Komisionit, bashkëshortët Zegjine dhe Theodhori Sollaku, kanë në pronësi 8 apartamente, te verifikuara nga hetimi administrativ, disa garazhe, si dhe dy makina.
Hetimi administrativ për Zegjine Sollakun u krye nga trupa gjykuese që kryesohet nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Gjyqtarja Sollaku mbrohej nga bashkëshorti i saj, ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, i cili në cilësinë e avokatit, gjatë seancës dëgjimore, kundërshtoi gjetjen e komisionit. Ai tha se, sikurse ka rezultuar edhe nga hetimi administrativ, të gjitha transaksionet financiare janë kryer nga ana e tij, ndërsa shtoi se e shoqja gjyqtare kishte qenë gjithmonë e fokusuar te detyra.