Arta Marku, do të jetë kryeprokurorja e përkohshme në krye të akuzës, e cila u zgjodh sot, me votat e socialistëve me 69 vota pro. 41-vjeçarja e lindur në Pukë, ka punuar si prokurore pranë organit të akuzës në Shkodër, duke mbledhur një eksperiencë prej 15 vitesh si prokurore e këtij rrethi.
Marku ka mbarur në vitin 1999 studimet në Shkodër në degën e Drejtësisë, ndërsa Magjistraturën e përfundoi në 2001-shin, duke dalë brezin e parë të prokurorëve.
Arta Marku është nënë e dy vajzave të mitura, ndërsa bashkëshorti i saj punon si Oficer i Policisë Gjyqësore për qarkun Lezhë.
Marku njihet si një prokurore tejet heremetike, e kujdesshme, por të mbetur jashtë vëmendjes mediatike e opinionit publik.
Gjatë garës për vendin e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, Arta Marku do të deklaronte në Komisionin e Ligjeve se Prokuroria është në kaos dhe se ajo është e aftë për t’i rikthyer normalitetin. “E shoh Prokurorinë në kaos dhe kam aftësinë të kthej normalitetin. Prokurorët janë të hutuar, të demotivuar, pasi emërimet nuk kanë lidhje me meritat. Në sistem ka prokuror me integritet e moral, që mund t’i japin sistemit shumë. Do bëj të zbatohen drejt ligjet. Do inkurajoj çdo prokuror që të trajtojë e zgjidh çdo çështje. Do garantoj mbështetjen time në hetimin e çështjeve. Do bëj të mundur ndryshimin e situatës aktuale që ka të bëjë me ruajtjen e sekretit hetimor”, do të deklaronte Marku gjatë prezantimit të kandidaturës.
Vendimi për Arta Markun si prokurore e përgjithshme të përkohshme iu njoftua sot deputetëve të PS-së nga Rama që në fillim të mbledhjes së grupit parlamentar, ndërsa ky emër qarkulloi prej disa ditësh në media, si kandidatura favorite për kryeprkurore të përkohshme.