Ka nisur seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, që shënon edhe nisjen e rrugëtimit 4-vjeçar të legjistaturës së XIX parlamentare.
Seanca konstituive drejtohet nga deputeti i PS, Besnik Bare pas refuzimit në bllok që bënë deputetët e PD Sali Berisha, Halim Kosova dhe Tritan Shehu, si më të vjetrit.
Kuvendi pritet të mbajë dy seanca këtë të shtunë. Seanca e parë konstituive do shërbejë për verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj, proces i cili pritet të bëhet nga një komision i ngritur nga Kuvendi.
Ndërsa pasdite në orën 18:00, deputetët do zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit, ish-kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Ruçi është kandidat i vetëm i propozuar nga PS.
Ai ka mbështetjen e të gjithë deputetëve të PS, ndërsa PD dhe LSI, si opozitat e Kuvendit të ri, kanë paralajmëruar votën kundër. Vendimi është marrë nga grupet parlamentare respektive një ditë më parë.
Nga ana tjetër, Edi Rama ka qenë i prerë në porositë që ka dhënë për ligjvënësit socialistë kur u ka kërkuar të mos mungojnë seancën e kësaj të shtune dhe të mbështesin Gramoz Ruçin i cili është sulmuar jo pak nga segmente të PD dhe ish të përndjekurve politikë.