Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, inkurajon klasën politike të bashkëpunojë në mbështetje të aspiratës së shqiptarëve për anëtarësim në BE.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, zoti Soreca shprehet se mezi pret të bashkëpunojë me ekipet e reja, si atë qeverisës të Kryeministrit Rama, ashtu edhe atë të opozitës, të sapozgjedhura të Partisë Demokratike.
Sipas tij, Reforma Zgjedhore është një moment i rëndësishëm bashkëpunimi mes maxhorancës dhe opozitës në zbatim të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, ndërsa u kujton “agjencive të zbatimit të ligjit të hetojnë dhe të ndjekin penalisht rastet e blerjes së votës, presionin mbi votuesit dhe shkeljet e sigurisë së të dhënave personale, si shumë të rëndësishme”.
Duke folur për Reformën në Drejtësi, ambasadori Soreca tha se “Investimi i BE-së në sektor flet më shumë se fjalët në këtë drejtim: 50 milionë euro janë investuar deri tani dhe 9 milionë euro të tjera pritet të vijnë”.