To top
8 Shk

Në Shqipëri zbulohet liqenin termal nëntokësor më i madh në botë

Një ekip shkencëtarësh çekë kanë zbuluar në jug të Shqipërisë liqenin termal nëntokësor më të madh në botë, të cilin e kanë quajtur Liqeni Neuron, sipas fondacionit që financoi ekspeditën. Zbulimi u bë në zonën e llixhave të Sarandaporit në Leskovik, Korçë.

Në vitin 2021, në rajonin e Vromonerit, në anën shqiptare të kufirit me Greqinë, shkencëtarët hasën një sistem të gjerë shpellash, të cilat që atëherë i kanë studiuar në detaje. Sistemi përmban shumë burime të nxehta që lëshojnë kolona të larta avulli. Gjurmimi i burimit të avullit i çoi ata drejt zbulimit të një humnere mbi 100 metra të thellë, të cilën e quajtën Atmos. Në fund të kësaj humnere, ekipi konfirmoi zbulimin e liqenit termal nëntokësor më të madh të njohur deri më sot.

Liqeni ka përmasa mbresëlënëse: gjatësi prej 138 metrash, gjerësi prej 42 metrash dhe perimetër prej 345 metrash, me një kapacitet prej 8,335 metër kub ujë të nxehtë. Për krahasim, madhësia e dhomës së liqenit është tre herë më e madhe se salla kryesore e Teatrit Kombëtar në Pragë.

Harta e sistemit të shpellës dhe zbulimi i liqenit kërkuan pajisje teknike të avancuara, të cilat u mundësuan nga Fondacioni Neuron, një organizatë çeke e financimit shkencor që i dha ekspeditës gati 1 milion koruna çeke, të dhuruara nga dashamirës privatë. Në nder të fondacionit, liqeni mori emrin Neuron.

Richard Bouda, një fotograf dhe speleolog pjesë e ekipit, përshkroi procesin e zbulimit:

“Gjatë eksplorimit fillestar, ne krijuam një hartë bazë duke përdorur pajisjet që kishim. Ne e dinim që atëherë se kishim zbuluar diçka vërtet të veçantë. Falë Fondacionit Neuron, kemi blerë një skaner celular LIDAR, i cili na lejoi të masnim të gjithë shpellën dhe zonën e liqenit. Ne do të bashkëpunojmë edhe me hidrologët, të cilët do të masin pjesën nënujore të liqenit duke përdorur sonar.”

Procesi i formimit të shpellës që përmban liqenin është gjithashtu i pazakontë. Uji mineral i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin, oksidohet dhe prodhon acid sulfurik, që në mënyrë të përsëritur e kthen shkëmbin gëlqeror në gips të butë. Ky zbulim pritet të kontribuojë në kuptimin më të mirë të këtij lloji të rrallë të formimit të shpellave dhe në mbrojtjen e zonës përreth.