To top
3 Mar

Ndryshon skema e vlerësimit për KEMPI-n; nëse qëndroni më shumë se 3 muaj jashtë vendit, hiqet pagesa

Hyjnë në fuqi, kriteret e reja të vlerësimit të dosjeve për pagesat e paaftësisë. Shqyrtimi për përfitim të pagesës së paaftësisë do të kryhet nëpërmjet një skeme të re. Sipas vendimit, dosjet më parë do të shqyrtohen nga një komision në nivel kombëtar më pas nga komisionet eprore pranë Shërbimit Social Shtetëror. Me rregullat e reja përfitues të pagesës, apo siç njihet ndryshe KEMP do të jenë edhe personat të cilët në 5 vitet e fundit para lindjes të së drejtës nuk kanë 12 muaj sigurim shoqëror dhe nuk kanë qenë përfitues të pagesës më parë.

Vendimi përcakton se ndihma e paaftësisë ndërpritet për personat që qëndrojnë më shumë se 3 muaj jashtë, pa arsye shëndetësore dhe për jorezidentët. Pagesa ndërpritet edhe për ata që nuk dorëzojnë dosjen në afatet e përcaktuar në Rregullore. Ndryshimet për kriteret e vlerësimit përcaktojnë ngritjen e 5 komisioneve që do të shqyrtojnë dosjet në nivel kombëtar. Pas shqyrtimit të dosjeve nga komisionet kombëtare, do t’i kalohen për shqyrtim komisioneve eprore sipas sëmundjeve. Vendimi përcakton se këto komisione do të shqyrtojnë dosjet për sëmundje të përgjithshme, verbërinë, sëmundjet e shëndetit mendor, si dhe paraplegjinë dhe tetraplegjinë.

Ndryshimet
Vendimi i ndryshuar përcakton mënyrën se si do të kryehet vlersimi i aftësisë së kufizuar nga 5 komisione kombëtare dhe 4 komisione eprore pranë Shërbimit Social Shtetëror, dokumentacioni që duhet dorëzuar për përfitim të pagesës, apo rivlersim të saj, si dhe procedurat që duhet të kryehen në rast ankimimi.

Vendimi përcakton se pranë Shërbimit Social Shtetëror do të ngrihen dhe do të funksionojnë 5 KMCAP-e të nivelit të parë, që do të vlerësojnë në nivel kombëtar dosjet, me këtë përbërje:
-2 KMCAP të shëndetit mendor, që do të kenë në përbërje psikopediater dhe psikiatër;
-1 KMCAP i kirurgjisë, onkologjisë, ortopedisë dhe reumatologjisë, që do të ketë në përbërje ortoped, onkolog dhe reumatolog;

– 1 KMCAP për paraplegjinë, tetraplegjinë dhe neurologjinë, që do të ketë në përbërje neurolog;
-1 KMCAP për sëmundje interne (nefrologji, kardiologji, gastroepatologji, endrokrinologji, hematologji, pneumoalergologji), që do të ketë në përbërje internist, kardiolog, nefrolog dhe pneumoalergolog.

“KMCAP-të e nivelit të parë marrin vendim për grupin e përfitimit, përfitimet dhe afatet e përfitimit për secilin grup. Kundër vendimit të KMCAP-së të nivelit të parë personi mund të bëjë ankim në Komisionin Epror Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (Komisioni Epror)”, percaktohet në vendimin e ndryshuar. Pranë Shërbimit Social Shtetëror do të ngrihen 4 komisione eprore, të cilat përbëhen nga 5 anëtarë për çdo komision dhe që zgjidhen në detyrë nga ministri i Shëndetësisë. Komisionet eprore të shërbimit social shtetëror janë: Komisioni Epror për Sëmundje të Përgjithshme; Komisioni Epror për Sëmundje të Shëndetit Mendor; Komisioni Epror për Paraplegjinë dhe Tetraplegjinë; Komisioni Epror për Verbërinë.

Sa pagesë përfitohet
Pagesa e paaftësisë në punë është 10. 653 lekë në muaj. Të njëjtën masë pagese përfiton edhe ndihmësi personal i personit me aftësi të kufizuar. Vendimi përcakton se pagesa e paaftësisë dhe pagesa e ndihmësit personal indeksohet çdo vit nga Shërbimi Social Shtetëror, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit. Sipas vendimit, personat me aftësi të kufizuar, gjatë periudhës që ndjekin një kurs kualifikimi përfitojnë 200% pafesën e paaftësisë. Ata që ndjekin arsimin e lartë përfitojnë 3 fishin e pagesës së paaftësisë. “E njëjta masë pagese zbatohet për personat që ndjekin programin e studimit të ciklit të tretë. Për personat që ndjekin studimet e doktoratës dhe për personat që ndjekin procedurat për fitimin e një titulli akademik, kjo pagesë përfitohet në mënyrë të përhershme, mbi bazën e dëshmisë së lëshuar nga organet kompetente për fitimin e gradës shkencore/titullit akademik”, thuhet në vendim.

Personat me aftësi të kufizuar, të cilët ndjekin, njëkohësisht, arsimin e mesëm të lartë apo arsimin e lartë dhe një kurs kualifikimi, përfitojnë vetëm njërën nga pagesat.
Sipas vendimit edhe ndihmësit personalë, që ofrojnë shërbim për më shumë se një përfitues, marrin një shtesë prej 50% të shumave përkatëse për çdo përfitues të shtuar.

Ja kur ndërpritet pagesa
Sipas vendit pagesa e paaftësisë ndërpritet kur personi refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara; kur dokumentacioni për rivlerësim nuk paraqitet sipas afateve të përcaktuara në rregulloret e organizimit, të të drejtave, detyrave dhe funksionimit të komisioneve të vlerësimit; kur personi nuk paraqitet në komisionin epror dy herë radhazi dhe refuzon të kryejë ekzaminimet e kërkuara/mjekimin e rekomanduar/ marrjen e shërbimit të rekomanduar; kur vërtetohet që personi nuk është rezident në Shqipëri; kur personi ka qëndruar për më shumë se tre muaj jashtë Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për arsye shëndetësore dhe ata që përfitojnë asistencë sociale.