To top
16 Qer

Ndahet nga jeta, Helmut Kohl arkitekti i ribashkimit të Gjermanisë

Helmut-Kohl-Dom-Speyer-besuch

Helmut Kohl, ish-kancelari gjerman dhe arkitekti i ribashkimit të Gjermanisë, ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare. Mediet gjermane raportuan se ai vdiq në shtëpinë e tij në Ludëigshafen, në landin gjerman të Rhineland-Palatinate.

Në vitin 2008, Kohl pësoi një rënie të rëndë dhe që prej asaj kohe përdorte një karrige me rrota, ndërsa shëndeti i tij sa vinte e përkeqësohej.

Ish-kancelari Helmut Kohl drejtoi Gjermaninë për 16 vite, nga 1982-shi deri në 1998-n, e atij i njihet merita e ribashkimit të Gjermanisë pas rrëzimit të Murit të Berlinit.

Bashkë me aleatin e tij francez, Francois Mitterrand, Kohl ishte përgjegjës për prezantimin e monedhës së përbashkët europiane. Kohl ishte kancelari që shërbeu më gjatë në Gjermani në shekullin e XX pas Bismarckut, ndërsa Angela Merkel, dikur nxënësja e tij, kërkon mandatin e katërt për të arritur rekordin e tij.

Kohl ishte një besimtar i bindur i integrimit europian dhe bindi gjermanët që të hiqnin dorë nga Marka e tyre e dashur në favor të Euros. Helmut Kohl u lind më 3 prill të vitit 1930, e kur ishte vetëm 12 vjeç ndihmonte në nxjerrjen e kufomave nga gërmadhat e fabrikave në Ludëigshafen, pas bombardimeve aleate.

Ajo që ai cilësoi si bekimi i një lindjeje të vonë e çliroi nga çdo njollë e mundshme e nazizmit. Kohl ishte një politikan model në Gjermani, derisa popullariteti i tij u dëmtua ndjeshëm pas skandalit të financimit të Kristian-Demokratëve të tij me donacione ilegale. Skandali u mor vesh pas vitit 1998, kur Kohl nuk ishte më në detyrë, por kjo solli edhe prishjen e raporteve me Merkelin.

Pavarësisht kësaj, Kohl vazhdoi të ishte popullor në vend, por mbase më shumë jashtë tij, e ngushëllimet për të kanë ardhur nga e gjithë bota. Mes tyre, ato të ish-presidentit amerikan George Bush, i cili tha se bota humbi një prej udhëheqësve më të mëdhenj të pasluftës në Europë dhe një mik të vërtetë të lirisë.