Muzika e virtuozit Klajdi Sahatçi
Nga Anila Çuli
Klajdi Sahatçi është një ndër artistët me famë ndërkombëtare tashmë, me këmbë të ngulura fort në tokë. Është rreth të 40-ve dhe prej vitesh karriera e tij shtrihet mes vendeve të Europës. Nuk flet shumë rreth vetes, dhe kjo e ka bërë që më shumë të bëjë punë se bujë. Violinisti virtuoz Klajdi Sahatçi gjendet në Tiranë dhe më pret në hollin e Akademisë së Arteve, pikërisht vendi ku kthehet me shumë dëshirë për të interpretuar. Qëndron në këmbë me shpinë, ndërsa violina e tij e shoqëron pothuajse gjithnjë. Shikimi i tij është i përqendruar diku tej në horizont, mes një gjelbërimi të cunguar të metropolit e mendja kushedi ç’i bluan mbi koncertin që do të jetë vetëm pas disa orësh në Akademinë e Arteve në Tiranë. Këtë të shtunë kam dalë më herët nga shtëpia, për t’u takuar dhe bashkëbiseduar me një artist të kalibrit të tij, mes një morie të shumta takimesh të lëna javën që shkoi. Veçse të gjitha me shumë dëshirë.
Është hera e parë që e takoj, ndërsa për të dhe famën e tij kam dëgjuar mjaft. Vite më parë më kishte bërë përshtypje ngjitja në skenë e një sërë instrumentistësh të njohur, mes të cilëve Tedi Papavrami, Klajdi Sahatçi, Dorian Xhoxhi dhe violonçelisti Vlorent Xhafaj, për herë të parë bashkë për të interpretuar për publikun shqiptar, të ardhur në Tiranë në kuadër të festivalit “Different Trains”. Përveçse është tejet i kulturuar, një artist mjaft profesionist, i përgatitur dhe fjalëpakë (ma kishte përforcuar idenë një mikja ime, artiste dhe bashkëstudente e violinistit), Klajdi është modest, pasi nuk bën pjesë tek ata artistë egoistë, të cilët mbushin faqet e gazetave e revistave, qoftë dhe për hiçgjë.
Ardhjet e tij në Shqipëri gjithnjë shoqërohen nga një event i rëndësishëm. Ndodhet i ftuar në festivalin për piano, organizuar nga Aleksandër Peçi, ku debutoi përkrah pianistes së njohur shqiptare Merita Rexha Tërshana. Një koncert vetëm nga të pranishmit, por dhe nga vetë kolegët e pranishëm në sallë. Më pohon se në këtë koncert ka debutuar tri pjesë shqiptare, ndër të cilat “Rapsodi” nga Ibrahim Madhi, ku u përkujtua një romancë e Tonin Harapit, “Gjithmonë”, rapsodia koncertale e Aleksandër Peçit, me sonate per violine e piano te Richard Strauss, në 150-vjetorin e vdekjes së tij. Mbi të gjitha, ai e vlerëson shumë ftesën në një koncert të tillë, bashkëpunime këto të pranuara me shumë dëshirë për të qenë në atdhe dhe pranë artdashësve shqiptarë, edhe pse janë organizime modeste deri diku. Vlerëson së tepërmi bashkëpunimin me artisten e shquar shqiptare Rexha-Tërshana. “Ishte një program shumë interesant, ku nuk kisha luajtur pjesë shqiptare më parë, gjë që më bëri ta pranoj me kënaqësi këtë ftesë”,- shpjegon më tej artisti Sahatçi, i cili jetën e tij e ndan tanimë më së shumti në Zvicrës, më pak në Tiranë e më gjerë në skenat ndërkombëtare, sa herë nënshkruan kontrata. I vendosur në orkestrën famoze “Tonhalle”, jeta e tij artistike ndahet edhe mes leksioneve që jep për artistët e rinj në Zvicrën italiane, një herë në javë, profesion të cilin e kryen me kënaqësi, duke e bërë të përshkruajë dhe pak distancë.
Artisti, i cili deri tanimë ka prekur skenat ndërkombëtare, si La Scala, Spanjës, Francës dhe Zvicrës, si dhe i vlerësuar me mjaft çmime ndërkombëtare, bashkëpunon edhe me artistët shqiptarë, një prej të cilëve është pikërisht projekti me pianisten Dhurata Lazo, ku hodhën në treg një CD me pjesë shqiptare, e ndërsa së fundmi pret të hedhë tri CD, edhe pse kërkon një investim të madh.
I lindur në Tiranë në familjen Sahatçi, Klajdi ndoqi studimet për violinë në Liceun Artistik, në Akademinë e Arteve e më pas iu drejtua një prej konservatorëve më me emër në Milano, “Giusepe Verdi”, në Itali, ku dhe u njoh me artisten italiane Silvia Arciuli, një mike e mirë, sot bashkëshortja e tij. Një artiste-bashkëshorte, të cilën Klajdi e vlerëson edhe si një menaxhere mjaft të mirë. Një mike e mirë e tij prej vitesh, ndërsa sot një nënë shembullore edhe për të voglin, birin e tyre të vetëm, Aleksandrin tetë vjeç, prirjet e të cilit janë shfaqur bindshëm dhe herët si dikur i ati 6-vjeçar, teksa nisi të studionte violinë. Por me një përjashtim, biri artist studion violinë dhe piano në një nga vendet dhe shkollat më të mira të Europës, zgjedhur me shumë kujdes nga prindërit artistë.