To top
30 Jan

Mimoza Hafizi mes shkences dhe politikes

Janë ditët e fundit të këtij sesioni parlamentar dhe ju për një vit keni qenë pjesë e tij. Mund të na përshkruani përshtypjet, emocionet, pritshmëritë tuaja si deputete e re?
Çasti më drithërues i jetës sime parlamentare ka qenë fjala “Betohem”, në ditën e parë të hyrjes në sallën e Kuvendit. Iu betova jo vetëm të tjerëve, por edhe vetes sime. Pas një viti jete krejt të re që pasoi atë fjalë, përkundër asaj që mund të mendoni, i falem fatit që më hodhi në këtë rrugë. Në një jetë të re krejt të ndryshme nga jeta universitare. Jo më të bukur, sigurisht! Se për nga bukuria, jeta universitare është e pakrahasueshme. Por të ndryshme, një jetë e dytë. Ka qenë një vit i mbushur me ngjarje të larmishme, sepse vetë funksioni i deputetit është sa i larmishëm, aq dhe i papërcaktuar. Kam dashur, në fakt, të bëj shumë më tepër sesa munda, në veçanti për Shkodrën. Por rrethanat ishin më kokëforta se pritshmëria ime. Gjithsesi, mbeten ende tri vite të tjera rrugëtim.
 Ju jeni ndër të paktat eksperte të astrofizikës që keni qenë pjesë e parlamentit, për të mos thënë e vetmja. Sa e keni gjetur veten në sallën e parlamentit dhe a do t’ua sugjeronit studentëve tuaj që në të ardhmen të hiqnin dorë nga astrofizika, për t’u bërë pjesë e politikës?
 Nuk mund të them se si astrofizikane e kam gjetur veten në sallën e parlamentit. Por jam munduar që në atë sallë dhe në të gjitha ambientet e tjera kuvendore të sjell diçka nga rigoroziteti shkencor. Unë nuk jam njeri që sugjeroj apo imponohem; i mbetem besimit që secili duhet ta zgjedhë lirshëm rrjedhën e vet. Po kështu, dhe studentët a fëmijët e mi. As mua këtë rrugë nuk ma sugjeruan, erdhi lirshëm në përpuqjen mes rastësisë dhe arsyes. Gjithsesi, rinisë që më rrethon i reflektoj modelin e njeriut gjithmonë në kërkim të motiveve të reja në jetë.
mimoza ediSi është jeta në parlament, marrëdhëniet me koleget femra e, pse jo, edhe me liderin tuaj?
Marrëdhëniet i kam shumë korrekte me të gjithë, sepse i pranoj njerëzit ashtu siç janë. Me një pjesë të vogël kolegësh të profilit tim jam lidhur shumë miqësisht, ndajmë edhe përtej punës fundjavat familjare. Më pëlqejnë veçanërisht orët e punës në Komisionin e Arsimit. Lidhje të veçanta e përtej çdo pritshmërie më ka krijuar edhe Aleanca e Grave Deputete. Po kështu, kënaqësi të posaçme më japin kontaktet me kolegët francezë të Parlamentit e Senatit në Francë, për arsye të pozicionit që kam në grupin parlamentar të miqësisë Shqipëri-Francë në parlamentin tonë.
Ka pasur ndonjë çast kur jeni penduar që e latë një profesion të tillë paksa në harresë për politikën, a ia vlente?
Jo, nuk jam penduar në asnjë çast! Gjithsesi, unë nuk e kam lënë në harresë profesionin tim. E kam sjellë me vete në parlament. Këto muaj po merrem aktivisht për organizimin e një konference të rëndësishme shkencore në Shkodër, në bashkëpunim me CERN-Gjenevë. Roli im në këtë konference, si deputete e Shkodrës, do të ndërthuret me profesionin e fizikanes.
Duke u kthyer pak vite pas, pse zgjodhët astrofizikën, apo ishte fati ai që ju përzgjodhi, siç ka ndodhur edhe me shumë të rinj të brezit tuaj?
mimoza 1Zgjodha fizikën me bindjen e një adoleshenteje. Kam qenë me fat që ndoqa me mendje e zemër bindjen time.
Nëse do të ktheheshit pas në kohë dhe do të kishit mundësi për një rizgjedhje, aktualisht kë degë do të donit, a do ta zgjidhnit sërish astrofizikën?
Po, pa asnjë dyshim!
 
Jeni një nga femrat që keni arritur majat e suksesit në karrierën tuaj, ka ndonjë sekret ose, më thjesht, cili është çelësi i këtij suksesi?
Çelësi im ka qenë pasioni dhe vendosmëria. Kur synoj diçka e arrij gjithmonë. Me vendosmëri dhe me dashuri. Por edhe duhet ditur çfarë të synosh. Të synosh të arritshmen.
 Ju keni punuar me mjaft personalitete, kë do të veçonit prej tyre?
 Danielin, profesorin tim francez, Rexhep Meidanin, Edi Ramën.
 Keni jetuar disa vite në Francë, ç’mund të kujtoni nga ajo kohë? Si ishin fillimet atje? Francezët… cili është vlerësimi dhe përshtypja juaj për atë popull?
Kam studiuar e jetuar në Francë në fillimet e viteve 90, që ishin për të gjithë njëfarë shqyerjeje jete. Kjo shqyerje mua më gjeti në vendin e duhur, në mjedisin universitar francez. Fillimet ishin të vështira, si çdo fillim. Por ato sollën për mua një lidhje të përjetshme me Francën.Francezët janë një popull shumë homogjen në filozofinë e jetës. Shtresa e tyre intelektuale është e konsoliduar dhe me peshë të rëndë.
 Nëse do të shkonim pak më tej… jeta juaj private, si është ajo?
E rrethuar nga një grup jo i madh njerëzish, por shumë të rëndësishëm për mua.
Ju jeni nënë, bashkëshorte, kolege, mike. Si janë raportet?
 GJithmonë vetëfajësuese se s’bëj aq sa duhet për njerëzit e dashur. U jam në borxh të gjithëve.
 Përveç politikës dhe astrofizikës, cilat janë hobet tuaja?
 Leximi dhe ecja. Të eci pambarim nëpër rrugë të mbushura me njerëz të panjohur. Kjo më bën ta dua fort jetën.
 A mund të na përshkruani një ditë tuajën?
 Fillon me një mëngjes aktiv, të gjatë 2-3 orësh dhe përfundon me një libër në dorë para televizorit. Gjithmonë dua të bëj dy-tri gjëra në të njëjtën kohë; një e vetme nuk më mjafton.
 A lexoni dhe cilët janë autorët tuaj të preferuar?
 Lexoj sapo kam pak mundësi. Nuk kam një apo disa autorë të preferuar, shijet e mia luhaten me kohën. Por përgjithësisht lexoj vetëm vepra të emrave të mëdhenj. Nuk mund ta humb kohën me dokëdo.
 Po sportin e ushtroni?
 Jo, kurrë s’jam marrë me sport. Bëj vetëm pak vrapim amatoresk.
 Po me kuzhinën si janë raportet tuaja, a jeni po aq e zonja sa astrofizikane?
 Ka raste kur gatuaj shumë mirë. Në ditë të zakonshme përgatis drekën tradicionale me gjellët tona, por me sasi shumë më të pakët yndyre. Herë m’i pëlqejnë gjellët e herë jo, kjo varet krejtësisht nga vëmendja që kam pasur atë ditë te gatimi.
 Kësaj bisede po i vjen fundi, por nuk mund të lëmë pa përmendur ata që kanë qenë për vite pjesë e rëndësishme e jetës suaj, studentët dhe të rinjtë. Si ju duket rinia e sotme?
 E ndryshme prej nesh, por shumë e mirë.
 A kanë studentët interes për studimet aq sa ka pasur në kohën tuaj, a jeni dhe ju e mendimit se niveli arsimor ka mjaft probleme dhe studentët kanë rënie në cilësi?
 Interesat kanë ndryshuar, niveli ka rënë, shpesh më kap trishtimi për mësuesit e fizikës që po detyrohemi të diplomojmë. Por ka edhe ndonjë student të shkëlqyer, që na e mban ndezur frymëzimin në orët e leksionit në fakultet.