Akademia e Shkencave do i drejtohet me një kërkesë zyrtare presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të rishqyrtuar edhe një herë dekretin përmes të cilit refuzon emërimin e ish-kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Skënder Gjinushit, në postin e drejtuesit të institucionit shkencor më të rëndësishëm të vendit.
Lajmi është bërë i ditur në një dalje për mediat, nga nënkryetari i ASH-së, Vasil Tole, në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme.
“Vendimi i Asamblesë së Akademisë së Shkencave me pjesëmarrjen e 43 nga 44 akademikë është në fuqi dhe nuk ka patur kundërshtim dhe as ankimim. Duke qenë se ky vendim është në fuqi, dhe duke shpresuar se ka ende hapësirë vendosëm t’i drejtohemi institucionit të Presidentit me një kërkesë për të rishqyrtuar dekretin e tij.”- u shpreh Tole.
Të premten e shkuar, kreu i shtetit refuzoi emërimin e Skënder Gjinushit në krye të ASH-së, i zgjedhur në këtë detyrë më datë 24 maj të këtij viti. Meta mbërriti në përfundimin se “procesi zgjedhor i zhvilluar në datën 24.05.2019 në Akademinë e Shkencave, për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, paraqet problematikë të theksuar ligjore”.
Në deklaratën e Metës theksohet se procesi i kandidimit dhe ai zgjedhor i zhvilluar dhe i përfunduar në datën 24.05.2019 për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, paraqet shkelje të parashikimeve të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”.
Gjinushi e ka cilësuar absolutisht të pavlefshëm vendimin e Metës, duke u shprehur se Meta nuk ka asnjë referencë ligjore përmes të cilës mund të legjitimojë refuzimin e emërimit. “Rezultati i zgjedhjeve është bërë publikisht i njohur dhe zyrtarisht dhe ligjërisht. Dhe është një rezultat i pa cënuar dhe i paprekur nga askush. Presidenti i Republikës nuk mund ta zhbëjë procesin zgjedhor të zhvilluar pranë këtyre institucioneve autonome. Kështu që dekreti është haptas nul, haptas një vendim absolutisht i pavlefshëm, sepse nuk ka asnjë referencë në ligjin e Akademisë së Shkencave, ku thuhet se mund të refuzohet emërimi”, ka thënë Gjinushi në një intervistë për Top Channel.