Ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka ndarë në rrjetet sociale një lajm për të cilin e kishte pritur prej kohësh. Ajo tashmë do të jetë Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal me një rekomandim edhe të qeverisë shqiptare. Ajo ka falenderuar të gjithë ata që e votuan dhe besuan për këtë pozicion dhe një falenderim e ka bërë edhe për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati ku edhe pse e ndajnë sinoret politike ajo është shprehur se i bashkoi përpjekja për të punuar pro Shqipërisë.
Fitoi garën, por Majlinda Bregu gëzon në shumës. Ajo njoftoi në Facebook votëbesimin për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimuit Rajonal, duke thënë: Fituam, por fitorja i takon vendit tim!
Zonja Bregu i shprehu mirënjohjen shërbimit të jashtëm të Bashkimit Europian, Parlamentit Europian dhe Partisë Popullore, të cilën e quan “familja ime politike”.
Ajo thotë se kandidatura e saj u votua bindshëm, duke u bërë e para shqiptare drejtuese në një pozicion të lartë ekzekutiv.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore dhe selia e tij është në Bosnje.
Në këtë garë, zonja Bregu garonte me malazezin Igor Luksiç. Ajo falënderon miqësisht ministrin Bushati.
“Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë! E di që do të jetë një sfidë e vështirë, por nganjëherë e vështira është më e mira!”, thotë ajo.