To top
5 Kor

Lutjet e fundit të Lu-së: Arrestoni “peshqit e mëdhenj” !

 

Ambasadori, Donald Lu, ka kërkuar edhe njëherë kapjen e peshqve të mëdhenj, duke e cilësuar dështim të qeverisë moskapjen e Klement Balilit. Zyrtari i lartë tha se ky dështim ka përfshirë të gjitha strukturat ligjzbzatuese, ndërsa mori edhe përgjigjen e kryeministrit Rama. Në aktivitetin “Forca e ligjit në veprim”, ishin të pranishëm edhe Ambasadorë të tjerë të huaj.

Ambasadori në ikje i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, fshikulloi qeverinë duke e thënë se ka dështuar në kapjen e shumë të kërkuarit Klement Balili. Në aktivitetin “forca e ligjit në veprim”, Lu edhe njëherë kërkoi që peshqit e mëdhenj duhet të futen në burg.

Lu: Shqipëria mbështeti arrestimin e Met Kananit në Turqi. Banda e tij u arrestua këtu në Shqipëri. Doganat shqiptare zbuluan 630 kg kokainë kolumbiane, që çoi në arrestimin e trafikantit të narkotikëve, Arbën Çekaj në Gjermani. 

Disa prej anëtarëve të bandës së tij janë arrestuar dhe shpresojmë që ditët e ardhshme të arrestohen të tjerë. Së katërti, kryebashkiaku Fran Frrokaj dhe ish-kryebashkiaku Elvis Roshi, po ndiqen penalisht. Emiljano Shullazi dhe Lul Berisha po gjykohen në Gjykatë.

Hetimi penal kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla vazhdon. Ka shumë aktivitet për njp periudhë të shkurtër kohe, por duam të shohim rezultate konkrete.

Duam që peshqit e mëdhenj të ndiqen penalisht, të dënohen dhe futen në burg, ky do të ishte sukses.

Dua të theksoj një dështim të qeverisë, prokurorisë dhe të policisë, dështimi për të arrestuar Klement Balilin. Dy vite më parë, DEA punoi me policinë greke për arrestimin e disa anëtarëve të bandës së Balilit në Greqi. Më pas, gjykata greke dënuan Balilin me një dënim të përjetshëm plus 15 vjet heqje lirie. Balili është një bos i fuqishëm i krimit të organizuar me lidhje politike. 

Për dy vjet, policia dhe prokurori nuk kanë pasur aftësinë ose vullnetin për ta arrestuar. Askush nuk është mbi ligjin. I bëj thirrje kryeministrit Rama, ministrit Xhafaj, policisë dhe prokurorëve të vazhdojnë luftën ndaj krimit të organizuar pa mëshirë.

KPK ka thënë se planifikon të përfundojë këtë verë, vettingun e kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kjo do të lejojë krijimin e shpejtë të KLP-së, SPAKU-t dhe BKH-së.

Kokat e krimit duhet të kenë frikë, drejtësia për ta po vjen.  

 

Rama: Balili dje ishte drejtor, sot në kërkim

Në përgjigje, Kryeministri Rama i kujtoi ambasadorit se deri para 4 viteve Balili ishte Drejtor Transporti, ndërsa sot person në kërkim.

Rama: Mos të harrojmë që nuk ishte 40 vjet përpara, vetëm pak vite përpara ky ishte Drejtor i lidhur politikisht, dhe çuditërisht jo Drejtor peshkimi por Drejtor Transporti. Sot është në kërkim.

Në takim, disa prej Ambasadorëve të huaj në Tiranë, shprehën rezerva për uljen e ndjekjeve penale për të korruptuarit.

Dunkan: “Peshqit e mëdhenj” për të cilët është folur mbeten ende në oqean dhe anëtarët më të lartë të grupeve kriminale ende kanë imunitet sa i përket ndjekjes penale.

Shutz: Në Gjermani kemi parë që kanë qenë qytetarë shqiptarët ata të cilët kanë hyrë dhe kanë vjedhur në Gjermani shtëpi dhe me task-forcën antiskifter ne kemi punuar dhe kemi parë tashmë rezultate.

Borshard: Personat të cilët janë përfshirë në korrupsion janë rritur nga 25-30% ndërkohë që nivelet e ndjekjes penale mbeten ende të ulëta.

 

Vlahutin: Shqipëria nuk është pasqyrë e krimit

Ndërkohë Ambasadorja Vlahutin u shpreh e keqardhur për etiketimet që i bëhen Shqipërisë si pasqyrim i krimit, gjë që sipas saj nuk është e vërtetë.

Vlahutin: Kam udhëtuar në Shqipëri nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, nuk kam takuar përveçse njerëz mjaft punëtorë, të ndershëm, e mirëfilli të mirë.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Xhafaj tha se si rezultat i operacionit Forca e Ligjit janë goditur shumë grupe kriminale.

Xhafaj: Operacioni Forca e Ligjit është tashmë një qasje e certifikuar e vullnetit real dhe organizimit efikas në luftë kundër krimit të organizuar. Në sajë të këtij operacioi janë goditur disa grupe të strukturuara kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, disa të tjera janë në proces investigimi dhe hetimi.

Në aktivitet u prezantua edhe një sondazh mbi percetimin e publikut te policia