Nga Anila Çuli
Për gati një vit mes printit dhe web-it ka nisur një luftë e ashpër. Pothuajse çdo gazetar, biznesmen, inxhinierë, parukierë, stilistë apo dhe një njeri mediokër ka krijuar portalin e tij.
I kanë shpallur një luftë të ashpër printit, gazetarisë serioze.
E nëse ligji i gazetarisë se duhen minimumi dy burime për të shkruar një lajm, në portalet egzistuese nuk egziston hera-herës, asnjë burim, apo citim. Mjafton copy – paste tekstit apo dhe fotos, ja ku lajmi u bë, portali u mbush, gazetaria u “bë”, klikimet, (aq shumë të kërkuara) u morën.
Më kaq po vetkënaqen portalet sot. Duhet të shtoj se ka dhe portale serioze të cilët janë ndërtuar nga gazetarë profesionistë dhe me karrierë, të cilët bëjnë intervista ekskluzive por që edhe këto sa hap e mbyll sytë, përfundojnë copy – paste në çdo media, portal, apo blog.
Është e tmerrshme të mendosh që njerëz jo korrektë, jo seriozë qëndrojnë pas këtyre të ashtëquajturave “media”, që vetëm media nuk mund t’i quash. Për mos të shtuar këtu, ata abuzuesit të cilët e marrin dhe pas copy paste e shtrembërojnë apo transformojnë lajmin, apo intervistën sipas oreksit personal, (pune kjo që t’i mund të kesh harxhuar kohë dhe energji, edhe pse kjo e fundit pak rëndësi ka për ta).
Nuk po llogaris këtu dhe atë pjesë, të cilët përdorin hapsirën mediatike për interesat personale pa pushim, që vetëm gazetarë nuk mund të quhen. (Në fakt duhet ndarë , një herë e mirë, militanti nga gazetari të dyja nuk shkojnë rrëzojnë njëra – tjetrën, e që kohët e fundit është kthyer në një trend.)
Me kaq duket se interneti i ka bërë gropën printit. Ose kështu mendojnë shumica, por në fakt printi mbetet ende një luks, mbetet një privilegj, që mund të qëndrojë një muaj, një vit apo një shekull i dokumentuar.
Ndaj unë mbetem një partizane e printit. E nëse mund të bëhen të dyja do të ishte një zgjidhje e mirë.
Që në krye të herës kur ideova dhe realizova revistën “Elite”, hapëm dhe faqen në web (www.revistaelite.al). Në fakt e hapëm si një dritare për të gjithë lexuesit që jetonin jashtë, pse jo dhe në kontinente të largëta, që na shkruanin, pasi nuk mundeshin dot të shfletonin revistën në print, për gjithçka ne shkruanim. Pa e ditur se sa do të evoluonte, teknologjia sot, dhe pa e menduar dhe parashikuar se sa do të transformohej e basatardohej gazetaria e mirëfilltë…