Gjatë sezonit të ri televiziv, Top Channel është vënë në qendër të vëmendjes për lëvizjet e prezantuesve nga njëri program në tjetrin. Emra të konsoliduar tashmë të këtij ekrani, por edhe emra të rinj që janë bërë pjesë e lëvizjeve të fundit. Ja cilat janë të rejat e fundit.
Ledion Liço: Ja pse pranova të jem pjesë e “Big Brother”
Në fillim të marsit pritet të nisë edicioni i tetë i “Big Brother” dhe vetëm para pak ditësh është konfirmuar emri i prezantuesit. Ledion Liço, në një prononcim për “Panorama Plus”, ka thënë edhe arsyen e vërtetë pse pranoi të jetë ai protagonisti i ri i mbrëmjeve të të shtunave: “Sepse ndonjëherë duhet të bësh edhe gjëra që nuk i ke shumë qejf, por që janë të nevojshme, në mënyrë që projektet të dalin sa më mirë. Nuk është se nuk e kam pasur qejf “Big Brother”-in, se e ndiqja gjatë gjithë kohës, por nuk e kam menduar veten ndonjëherë duke e drejtuar atë.” Lidhur me pyetjen çfarë ka ai ndryshe nga Arbana, Ledioni thotë: “Ne të dy jemi të ndryshëm nga mënyra se si e bëjmë punën. Një gjë është e sigurt: që unë do të jem politikisht më jokorrekt, por do të jem më vetvetja”.
Xhemi Shehu prezanton “Portokalli”
Pjesë e trafikut të prezantimit është bërë edhe prezantuesja tjetër e këtij televizioni, Luana Vjollca. Pas lajmit që Ledion Liço do të prezantojë “Big Brother 8”, Xhemi Shehu do të jetë pjesë e “Portokallisë”, edhe Luana Vjollca do të provojë prezantimin në një program, skenën e të cilit e ka prekur edhe më parë. Shumë shpejt, prezantuesja bukuroshe do të jetë në krah të Alban Dudushit dhe Ornela Bregut në programin e së dielës, “E diell”
Bieta Sulo, para apo pas kamerave?
Kryeredaktorja e Top Show Magazine, Bieta Sulo, është bërë pjesë e bashkëprezantimit me Alban Dudushin dhe Elona Duron në “Top Show Magazine”. Në një intevistë për gazetën “Paloma”, Bieta ka shpjeguar arsyet pse doli para kamerës, pas pothuaj 10 vjetëve pas saj: “Ndihem e privilegjuar, sepse kam kënaqësinë e të dyja faqeve të skenës”,- ka thënë ajo. Ndërsa sa i përket komoditetit që i krijon partneri i saj në jetë dhe në punë, Alban Dudushi, ajo shprehet: “Kur edhe mënyrën e të jetuarit e vë në funksion të punës, të qenit bashkë është bashkim forcash, avantazh, përkushtim”.