Sesioni i pestë parlamentar pritet të çelet pasditen e sotme ora 18.00.
Deputetët do të mbilidhen për të miratuar programin e punës së Kuvendit për periudhën 2 shtator – 18 tetor 2019.
Partia Demokratike, për herë të parë pas tre dekadash nuk merr pjesë në çeljen e këtij sesioni, për shkak të djegies së mandateve në muajin shkurt të këtij viti.
Tashmë në Kuvend kemi një opozitë të re me tre grupe të reja parlamentare.
Është grupi “Demokrat” i udhëhequr nga Rudina Hajdari, grupi “I pavarur” pjesë e të cilit është Ralf Gjoni, si dhe grupi i “Partive të djathta”.
Këto grupe parlamentare bashkë me grupin e Partisë Socialiste pritet të vendosin mbi sërë çështjesh të nxehta gjatë këtij sesioni, nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kujtojmë se në Tetor përfundon afati i komisionit hetimor i ngritur për hetimin e Presidentit Ilir Meta në lidhje me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ndërkohë gjatë kësaj periudhe Presidenti Meta ka rikthyer 9 ligje në Kuvend, pasi ka refuzuar dekretimin e tyre.
Pra, është Kuvendi që do të vendosë, nëse do të bëjë ndryshime apo sërish do t’i miratojë siç ishin.
Kjo e fundit, është versioni që pritet pas kthimi i ligjeve është konsideruar si hakmarrje Presidentit ndaj Qeverisë.
Një tjetër çështje e rëndësishme është reforma zgjedhore, pasi në fund të muajit nëntor përfundon afati i Komisionit për Reformën Zgjedhore.
Në këtë pikë, ende nuk dihet nëse do të përfshihet edhe opozita joparlamentare apo ndryshimet do të bëhen me opozitën e re.
Gjithashtu gjatë këtij sesioni pritet të zgjedhjet anëtarët e Gjykatës Kushtetuese por edhe Prokurori i Përgjithshëm.