Që prej krijimit të Strukturës së Posaçme anti-korrupsion dy vite më parë emrat e rëndësishëm të hetuar nga ky institucion i dalë nga Reforma në Drejtësi mund të numërohen me gishtat dorës.
Deri më tani në rrjetën e SPAK ka rënë një ish-ministër, ish-kryeprokurori, një kryebashkiak një gjyqtare dhe një prokuror.
Hetimet për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka
Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor 2021 dhe sipas SPAK ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK-ut, ish-ministri i Mjedisit ka përfituar rreth 3, 685, 000 euro nga kompanitë “Albtek Energy” me administatore dhe ortake të vetme Stela Gugallia dhe “Integrated Technology Services”, e drejtuar nga Klodian Zoto.
Hetimet për ish-zëvendësministren e Brendshme Rovena Voda
Rovena Voda u akuzua për veprën penale ‘ushtrim ndikimi të paligjshëm’. Sipas SPAK, Voda ka marrë përfitime nga shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Gjithashtu atij iu hoq edhe e drejta për 5 vjet nga ushtrimi i posteve publike.
Kryetari i Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe
Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe u arrestua si i akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” lidhur me një tender të bashkisë së drejtuar prej tij. Prokuroria e Posaçme.
Ish drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi
Thoma Gëllçi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke kryer shkelje ligjore në një procedurë prokurimi. Tenderi i dyshuar është zhvilluar në vitin 2018 ndërsa hetimi i SPAK ka nisur në shkurt 2020.
Gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha
Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, u arrestua si e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal; Ajo njihet për lirimin nga detyra të disa nga emrat të njohur të botës së krimit.
Prokurori i Sarandës, Sali Hasa
Prokurori Sali Hasa u arrestua për veprën penale të korrupsionit pasiv më 19 qershor 2021, pas hetimeve të nisura ndaj një grupi të trafikut të drogës nga ana e SPAK.