Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, drejtimin e Vatikanit në periudhën e tranzicionit e ka marrë Kardinali Kevin Farrell, një figurë me përvojë të gjatë në hierarkinë e Kishës Katolike.
Farrell, irlandezo-amerikan, u emërua Camerlengo i Kishës Romake në vitin 2019 nga vetë Papa Françesku. Në këtë rol, ai është përgjegjës për udhëheqjen e Vatikanit gjatë periudhës “Sede Vacante”, deri në zgjedhjen e Papës së ri.
Ai do të organizojë konklavën – mbledhjen e kardinalëve për zgjedhjen e pasardhësit të Papës – si edhe ceremonitë zyrtare të zisë, përfshirë varrosjen solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Kush është kardinali Farrell?
I lindur në vitin 1947 në Dublin të Irlandës, Kevin Farrell studioi në Universitetin e Salamankës në Spanjë dhe më pas në Universitetin Papnor Gregorian në Romë. Gjatë shërbimit të tij shpirtëror, ai ka mbajtur role në të katër anët e botës nga Meksika ku shërbeu si kapelan universitar, deri në SHBA, ku kaloi mbi 30 vite në funksione të ndryshme kishtare.
Në vitin 2007, ai u emërua peshkop i Dioqezës së Dallasit, ndërsa në vitin 2016, Papa Françesku i besoi drejtimin e dikasterit të sapokrijuar për Laikët, Familjen dhe Jetën, një nga strukturat më të rëndësishme për baritorinë moderne të Vatikanit. Brenda të njëjtit vit, ai u ngrit në rangun e kardinalit.
Në vitin 2023, Papa Françesku i besoi Farrell-it edhe detyra të tjera me peshë: ai u emërua president i Gjykatës së Lartë të Shtetit të Qytetit të Vatikanit si dhe kryetar i Komisionit për Çështje Konfidenciale, dy institucione që lidhen ngushtë me administrimin dhe drejtësinë brenda qytet-shtetit të shenjtë.
Ndërkohë që përgatitjet për konklavën janë në prag, roli i kardinalit Farrell si Camerlengo do të jetë thelbësor për sigurimin e një procesi të rregullt dhe transparent të kalimit të pushtetit brenda Kishës Katolike.
Historikisht, vetëm dy camerlengo kanë qenë më pas të zgjedhur papë, Papa Leoni XIII në vitin 1878 dhe Papa Piu XII në vitin 1939, megjithatë, spekulimet për emrat e mundshëm të pasardhësit të Françeskut tashmë kanë nisur, dhe syri i botës është kthyer nga Vatikani.
Ceremonia mortore për Papën Françesku pritet të zhvillohet të mërkurën në mëngjes, ndërsa bota katolike nis një kapitull të ri në historinë e saj.