Nga Anila Çuli
Për pak ditë do ta lëmë pas edhe këtë vit, për të pritur një tjetër vit që urojmë të jetë i mbarë. Çdonjëri nga ne me siguri është duke bërë bilancin e 2013-s. Për shumë njerëz viti mund të ketë qenë mjaft i mbarë, për dikë tjetër pak apo aspak i suksesshëm, ndërsa për ndonjërin i mbrapshtë e mbase edhe tepër fatal… Por, në fund të fundit, kjo është jeta.
Porse personazhet e “Elite”-s vijnë te ju për të shpalosur një pjesë nga jeta dhe karriera e tyre. Pa pikë mëdyshje, këtë kopertinë të fundvit vendosëm t’ia dedikonim artistes së madhe, ikonës së skenës shqiptare, zonjës me mjaft vlera, Margarita Xhepës. E kujtoj takimin e parë me të, fill pas një shfaqjeje, teksa unë (atëherë adoleshente) ndiqja me kërshëri interpretimet e saj brilante. Ajo që më bëri përshtypje, përpos interpretimit (si adoleshente s’kisha ndonjë perceptim absolut për artin, pa e menduar se më vonë do të pozicionohesha si gazetare kulture), ishte komunikimi i ëmbël, shikimi i thellë dhe i bukur, por, mbi të gjitha, sharmi i saj. Qysh atëherë kanë kaluar vite, por Margarita Xhepa për mua vazhdon të mbetet aktorja ikonë. Regjisori i njohur Kujtim Gjonaj së shpejti do të na paraqesë një film dokumentar kushtuar të mrekullueshmes Margaritë, e cila me talentin e saj i ka dhuruar artit shqiptar një tjetër artist brilant, Ndriçim Xhepën.
Armand Shkullaku, modeli i gazetarisë sonë, editorialist i njohur dhe themelues i një televizioni të suksesshëm, analisti më në zë, në faqet e revistës vjen në një rrëfim interesant – ndër të paktat e tij.
Piktori Artan Shabani është ndër artistët shqiptarë që ka bërë emër të mirë në botë. I vlerësuar nga adhurues të artit, nga kritika dhe media ndërkombëtare, artisti ynë tanimë kthehet në Shqipëri me një mision të mundur, si drejtues i Galerisë Kombëtare të Arteve. Artisti shpjegon për “Elite” pasionin e tij në pikturë dhe shpreh mendime për gjallërimin e artit shqiptar.
Luan Rama, njeriu i letrave shqipe, një ish-diplomat karriere, vjen në faqet e revistës sonë, në rubrikën “Ftesë”, për një recesion mbi impresionet e tij letrare në kryeveprën botërore të shkrimtarin Gustar Flober, me romanin aq shumë të lexuar e të komentuar “Zonja Bovari”.
Por ç’mund të themi për kavalierin italian, politikanin më jetëgjatë dhe një prej njerëzve më karizmatikë, me mjaft influencë në botën e politikës dhe të medies në Itali, për Silvio Berlusconin, me ngritjet dhe uljet në jetën e tij private dhe profesionale? Në faqet e revistës sonë mund të gjeni gjithçka po ndodh së fundmi në jetën e kavalierit, me të fejuarën e tij tepër të re Franceska Pascuale.
Një rrëfim i bukur dhe i sinqertë vjen nga balerini shqiptar Marlon Dino, artisti i Operës Shtetërore të Myniut, interpretuesi i skenës së Bolshoi Theater në Moskë, ku për tri vite rresht revista “Danc e Europe” e ka shpallur balerinin më të mirë në Europë.
Ndërsa sopranoja e re dhe tepër premtuese, Ramona Tullumani, nëpërmjet revistës sonë premton se me shumë mund dhe punë do t’i ngjisë shkallët e karrierës në muzikën lirike.
Por jo vetëm kaq të dashur lexues. Në “Elite” ju do të gjeni copëza jete edhe nga personazhe të njohura brenda dhe jashtë vendit, të denja për të qenë vetëm në faqet e kësaj reviste prestigjioze.
Lexim të këndshëm dhe festa të gëzuara!