Kardinalët në Vatikan kanë bërë të ditur se ceremonia e varrimit të Papa Françeskut do të mbahet të shtunën, më 27 prill. Kjo ditë do të shënojë gjithashtu nisjen e nëntë ditëve të zisë në nder të Papës.
Sipas njoftimit zyrtar të Vatikanit, arkëmorti me trupin e Papa Françeskut do të vendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit të mërkurën në mëngjes, në orën 09:00. Arkëmorti do të qëndrojë aty deri ditën e varrimit, për t’u dhënë mundësi besimtarëve dhe publikut që të japin nderimet e tyre të fundit.
Në një vendim të pazakontë, Papa Françesku nuk do të varroset në Vatikan, në kriptën tradicionale të Bazilikës së Shën Pjetrit, por në Bazilikën e Shën Marisë Major në Romë. Ai kishte shprehur dëshirën që të prehej atje dhe të varrosej në një arkivol të thjeshtë prej druri, në kontrast me paraardhësit e tij që janë varrosur në tri arkivole të punuara nga materiali selvi, plumb dhe lis.
Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill, në moshën 88-vjeçare. Ai u zgjodh në krye të Kishës Katolike në vitin 2013, pas dorëheqjes historike të Papa Benediktit XVI.