To top
7 Qer

Konjufca zbardh detaje nga takimi me Bashën: Me mendime të ndara kemi përjetuar veç dëme për dy vendet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një prononcim të përbashkët për mediat me kreun e PD-së, Lulzim Basha zbardhi detaje nga biseda mes tyre. Sipas Konjufcës, fokusi i bashkëbisedimit ishte dialogu Kosovë-Serbi. “Jemi shume të nderuar për pritjen në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë nga kryetari i saj, zoti Lulzim Basha. Patëm një takim shumë të frytshëm duke i trajtuar temat më te rëndësishme nëpërmjet të cilave shqyrtojmë gjendjen e Republikës së Shqipërisë, por edhe atë të Republikës së Kosovës. Fati i shteteve tona është i përbashkët meqenëse ne jemi një komb dhe më erdhi mirë kur i dëgjova qëndrimet zyrtare të Partisë Demokratike të Shqipërisë për sfidat të cilat e presin Kosovën në të ardhmen. Në veçanti prekëm dialogun me Serbinë në të cilën Kosova po përballet me qëllimet e Serbisë, të cilat rezultatin përfundimtar synojnë ta kenë destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një entiteti territorial Serb brenda Kosovës të kontrolluar nga Beogradi duke e hapur edhe planin e Athisarit.

 

Më gëzoi shumë fakti që qëndrimet e Partisë Demokratike të Shqipërisë janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, të cilat i shpjegoi edhe në fund të qëndrimeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryetari Basha. Këto na ndihmojnë për pozicionimin e Republikës së Kosovës në proceset e ardhshme, edhe në dialogun që e kemi me Serbinë, por edhe në sfidat e integrimeve europiane, sepse vetëm duke patur një pozicion unik, të përbashkët e për të cilin punojmë duke e ndërtuar bashkë në vazhdimësi, të dy shtet tona mund të kenë sukses. Me zëra të ndarë, të fragmentuar, me qëndrime kundërthënëse, të cilat na kanë ndodhur ndonjëherë në të kaluarën, kemi përjetuar vetëm dëme të dy shtetet tona. Sa më të unifikuar që të jenë qëndrimet tona, atëherë mendoj që do të jetë më e lehtë për ne që të kemi prosperitet, por edhe më e shpejt rruga jonë drejt synimit tonë përfundimtar, që është hyrja në Bashkimin Europian. Zoti Basha faleminderit për mikpritjen, jeni të mirëseardhur për një vizitë në Kosovë.”, tha ai.