Komisioni Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues” në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, diskutoi në mbledhjen e realizuar nëpërmjet sistemit online Cisco Webex, zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor. Për shkak të pandemisë botërore nga COVIT -19, Komisioni i Venecia ka shtyrë zhvillimin e seancave të planifikuara. Në njoftimin e Komisionit të Venecias thuhet se:“Opinionet e planifikuara për seancën e Marsit, shtyhen në seancën e 19-20 Qershorit 2020”. Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 28 shkurt 2020, diskutimet e mbledhjes së Komisionit u përqëndruan rreth marrjes së vendimit të ndërmjetëm për zgjatje e afatit të Komisionit Hetimor dhe përcaktimin e afatit të ri.
Në përfundim të diskutimeve, Komisioni miratoi vendimin e ndërmjetëm për t’i kërkuar Kuvendit zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit hetimor deri më datën 31 korrik 2020.